Personi që shihni në foto është Kristian Ymeri, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin që u parandalua dy ditë më parë në Lezhë. Policia bëri të ditur se në kuadër të këtij operacioni u arrestuan Elden Tarja, Kristian Ymeri (Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, të cilët po përgatiteshin të kryenin një vrasje
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit Vincesk Piroli dhe Kristian Ymeri (Shkambi), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Elden Tarja, drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Tarjas në Barbullush, shërbimet e policisë gjetën edhe motorin, i cili u sekuestrua së bashku me makinën si dhe tri pistoleta me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak. Makina rezultoi se ishte vjedhur në Suedi, ndërsa çelësat iu gjetën 34-vjeçarit Kristian Ymeri (Shkambi).
Sipas gazetarit Elton Qyno, në njërin prej telefonave të sekuestruar të Kristian Ymerit është gjetur një fotografi e një banese në qytetin e Lezhës. Mësohet se banesa i përket një personazhi, të "të fortit" në qytetin e Lezhës shtetasit E. T., i cili sipas burimeve pranë policisë, prej një muaji ndodhej jashtë Shqipërisë.
Paraprakish policia ka dyshime se të arrestuarit mund të jenë të përfshirë edhe në atentatin e ndodhur në Sarandë mëngjesin e 20 shtatorit, ku u ekzekutua Artan Myrtaj.


