5 minuta shi i duhen Sarandës për t’u bërë me “shatërvanë” të rinj në rrugë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.10.2026, 14:49

Mjaftojnë vetëm pesë minuta reshje shiu që perla e turizmit shqiptar, Saranda, të kthehet në një panoramë kaosi e përmbytjesh. Në vend të një qyteti me standarde evropiane, rrugët kryesore shndërrohen në lumenj, ndërsa pusetat e bllokuara e të mbingarkuara nxjerrin ujërat e ndotura në mes të asfaltit, duke improvizuar "shatërvanë" turpi në çdo lagje.

Kjo pamje e përsëritur sa herë që retë mblidhen mbi qytet nuk është një fatkeqësi natyrore, por dëshmi e qartë e dështimit të menaxhimit nga ana e kryebashkiakut dhe ekipit të tij. Ndërsa bashkia mburret me projekte e promovime në rrjete sociale, realiteti në terren tregon punë shkel e shko dhe mungesë të plotë investimesh serioze në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut.

Çdo herë që moti prish humorin e natyrës, pësojnë qytetarët, bizneset dhe drejtuesit e mjeteve që përballen me bllokime e dëme materiale. Kjo ngre vetvetiu pyetjen se ku po shkojnë taksat e sarandiotëve, të cilët paguajnë rregullisht për shërbime që nuk i marrin kurrë me cilësi. Saranda ka nevojë për zgjidhje afatgjata dhe përgjegjësi direkte nga kryetari i bashkisë, e jo për justifikime apo fajësim të motit, sepse një qytet turistik nuk mund të mbytet brenda pesë minutave shi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit