Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të diel në Manisa, në perëndim të Turqisë, ku një autobus pasagjerësh u përplas me një kamion. Si pasojë e përplasjes, 11 persona humbën jetën, ndërsa 27 të tjerë mbetën të plagosur.
Mësohet se autobusi po udhëtonte nga Bursa drejt Izmirit. Administrata provinciale e Manisës bëri të ditur se njoftimi për aksidentin u mor pak pas orës 11:00, pranë kryqëzimit të autostradës në Akhisar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u nisën ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit. Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitaleve për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, reagoi përmes një postimi në platformën X, ku iu referua viktimave si “qytetarët tanë”. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur nëse të gjithë personat e përfshirë në aksident ishin shtetas turq apo nëse mes pasagjerëve kishte edhe shtetas të huaj.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Guvernatori i Manisës, Vahdettin Ozkan, deklaroi se hetimet dhe puna në vendngjarje po vijojnë nën koordinimin e zyrës së prokurorit publik.
"Po e përjetojmë në një mënyrë të dhimbshme sa e rëndësishme është t'i përmbahemi rreptësisht rregullave të trafikut", tha Ozkan.
