Tragjedi në brigjet e Xhibutit, 139 migrantë të vdekur dhe mbi 116 të zhdukur pas përmbysjes së anijes
Një seri sulmesh të dhunshme në shkollat e Polonisë ka shkaktuar alarm në vend dhe ka detyruar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme sigurie, mes frikës se incidentet mund të nxisin episode të tjera të ngjashme.
Incidenti më i rëndë ishte ai i së enjtes në një shkollë fillore në fshatin Leszczydół-Noëiny, në verilindje të Varshavës, ku një 15-vjeçar goditi për vdekje me thikë në qafë një punonjëse 37-vjeçare të shkollës, nënë e dy fëmijëve. Drejtori dhe një mësuese arritën ta ndalonin agresorin, por mbetën të plagosur gjatë ndërhyrjes. Adoleshenti, ish-nxënës i shkollës, u arrestua në vendngjarje. Ai mbante një helmetë të pajisur me kamerë, me të cilën dyshohet se kishte në plan të filmonte sulmin. Me vete mbante tre thika.
Një ditë më parë, në qytetin Ostrołęka, një 19-vjeçar kishte plagosur nëntë persona, mes tyre nxënës, mësues dhe kalimtarë, gjatë një sulmi me mjet të mprehtë në një shkollë profesionale. Policia zbuloi në çantën e tij edhe një bombë artizanale që nuk shpërtheu. Po atë ditë, në qytetin Sierpc, u arrestua një 17-vjeçar i dyshuar se po përgatiste një sulm në shkollën e tij.
Kryeministri polak Donald Tusk i cilësoi ngjarjet një sinjal serioz paralajmërues, duke urdhëruar shtimin e pranisë policore dhe patrullime të përditshme edhe brenda shkollave. Autoritetet po hetojnë nëse sulmet mund të lidhen me të ashtuquajturat sfida të dhunshme në rrjetet sociale, por deri tani nuk kanë prova për një lidhje të drejtpërdrejtë mes incidenteve. Frika u përhap më tej pas mesazheve në internet për një të ashtuquajtur “të premte të përgjakshme”, që shkaktuan mbylljen e disa shkollave.
Megjithatë, ministri polak i Digjitalizimit, Krzysztof Gawkowski, deklaroi se pretendimet për një sfidë të organizuar në shkallë kombëtare janë dezinformim. Policia ka kontrolluar rreth 10 mijë shkolla dhe institucione arsimore, ndërsa dhjetë persona, përfshirë tre të mitur, janë arrestuar në lidhje me kërcënimet e shpërndara në internet. Ngjarjet kanë rikthyer debatin mbi radikalizimin e të rinjve përmes platformave digjitale. Parlamenti polak ka miratuar një ligj që mundëson heqjen më të shpejtë të përmbajtjeve kriminale nga interneti, por hyrja e tij në fuqi mbetet në dorën e presidentit Karol Nawrocki, i cili kishte vendosur veton ndaj një nisme të ngjashme në janar.
Sulmet kanë tronditur Poloninë, një vend ku dhuna e kësaj natyre në shkolla ka qenë deri tani relativisht e rrallë, duke ngritur shqetësime të reja për sigurinë e nxënësve dhe ndikimin e përmbajtjeve të dhunshme në internet.
Top Channel