Sport

Sherr me flakadanë para derbit të kryeqytetit, sot në 18:30 sfida e 213-të Partizani – Tirana!

Sherri mes tifozëve i parapriu derbit të parë të sezonit mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet sot në “Air Albania”, në orën 18:30. Disa orë para sfidës, pranë stadiumit pati përplasje mes mbështetësve të dy skuadrave, ku u hodhën edhe flakadanë, ndërsa ndërhyrja e policisë normalizoi situatën. Në mbrëmje, dy rivalët historikë zbresin në fushë në një përballje me peshë të madhe, pasi të dy ekipet po kalojnë një nisje zhgënjyese të kampionatit dhe kërkojnë fitoren që mund t’u japë kthesë rezultateve.

Derbi i javës së gjashtë vjen në një moment të pazakontë për dy skuadrat e kryeqytetit. Pas pesë ndeshjeve të para, Tirana ka grumbulluar vetëm pesë pikë dhe renditet e gjashta, ndërsa Partizani ka katër pikë dhe ndodhet në vendin e tetë. Për të dy ekipet, tri pikët vlejnë jo vetëm për renditjen, por edhe për të lënë pas momentin e vështirë.

Edhe pse të dyja skuadrat nuk po kalojnë formën më të mirë, derbi mbetet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar. Kjo do të jetë përballja e 213-të mes tyre, me Partizanin që kryeson bilancin historik me 84 fitore, kundrejt 63 të Tiranës, ndërsa 65 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Për mbarëvajtjen e sfidës, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash. Nga ora 16:00 do të bllokohen sheshi “Nënë Tereza”, rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Dervish Hima”, si edhe zonat përreth stadiumit. Tifozët e Partizanit dhe të Tiranës do të lëvizin sipas itinerareve të përcaktuara, ndërsa në hyrje do t’u nënshtrohen kontrolleve të rrepta. Nuk do të lejohen sende të forta, lëndë piroteknike, tifozë pa dokument identifikimi, si edhe fëmijë nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindit ose kujdestarit.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe sfida Vllaznia-Dinamo, ku shkodranët do të debutojnë me trajnerin e ri Çaba Laszlo, pas një jave të trazuar që u shoqërua edhe me bojkotin e një seance stërvitore nga futbollistët.

Java e gjashtë e Superligës nisi të shtunën me Teutën që regjistroi fitoren e pestë radhazi, duke mposhtur Skënderbeun, Elbasani u ndal në barazim 1-1 në shtëpi ndaj Vorës. Sot Egnatia ditoi 0-2 në transfertën ndaj Laçit, duke u ngjitur në vendin e dytë me 16 pikë, 1 më pak se Teuta kryesuese.