Një kërcënim i cilësuar nga qeveria polake si “jashtëzakonisht shqetësues” ngriti sot për sigurinë e kryeministrit Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz. Autoritetet vendase u vunë menjëherë në lëvizje dhe arrestuan personin që kishte planifikuar kryerjen e sulmeve.
“Personi që kërcënoi dhe planifikoi një sulm ndaj kryeministrit Donald Tusk është ndaluar nga policia”, deklaroi Kierwiński, pa dhënë detaje të tjera mbi identitetin e të dyshuarit apo natyrën e sulmit që dyshohet se po përgatitej.
Vetë Tusk reagoi në rrjetin social X, ku falënderoi policinë për ndërhyrjen e shpejtë dhe vendimtare.
Tusk u njoftua për kërcënimet që herët të dielën në mëngjes. Informacioni kishte mbërritur si fillim tek shërbimet e sigurisë dhe më pas iu përcoll policisë. Autoritetet fillimisht nuk zbuluan se kush e kishte bërë kërcënimin apo si parashikohej të kryhej sulmi.
“Po e trajtojmë këtë çështje me shumë seriozitet”, tha më herët Jacek Dobrzyński, zëdhënës i ministrit që mbikëqyr shërbimet e inteligjencës.
Pas një takimi urgjent të dielën mes shërbimeve të sigurisë, policisë dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, ai theksoi se ky rast kishte ngritur dyshime të forta se kërcënimet mund të ktheheshin në veprime konkrete.
“Muaj pas muaji, vit pas viti, policia merr gjithnjë e më shumë kërcënime dhe mesazhe shqetësuese. Në këtë rast, po flasim për një mundësi të madhe që këto kërcënime të mund të zbatoheshin”, u shpreh ai.
Ndërkohë pas kërcënimeve, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, dhe koordinatori i shërbimeve speciale, Tomasz Siemoniak, kanë urdhëruar marrjen e masave të forta të sigurisë ndaj dy drejtuesve të qeverisë.
Alarmi erdhi në një javë plot zhvillime sa i përket sigurisë në Poloni. Brenda katër ditësh, në provincën Mazovia u regjistruan tri sulme me thikë në shkolla, me një të vdekur dhe shumë të plagosur, mes tyre fëmijë.
Vendi është gjithashtu në gatishmëri për rrezikun e sulmeve hibride ruse. Muajin e kaluar, Tusk paralajmëroi se Moska mund të intensifikonte sulmet në krahun lindor të NATO-s, për të dobësuar mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Rusia i ka mohuar pretendimet për plane të tilla.









Komente
Komento