Aktualitet

Atentati me tritol në Gjirokastër/ Në automjet u vendos rreth 300 gram lëndë shpërthyese!

Të tjera detaje kanë dalë lidhur me atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si ‘Çilo Hunderri’, si dhe mbeti i plagosur 26-vjeçari Erigels Mela.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet rreth 300 gram.

Ndërkohë Erigels Mela ka pasur të atin prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe momentalisht e ëma e tij, Mimoza Mela, punon si sekretare në këtë Prokurori.

Beqir Devolli, 45 vjeç, i njohur në Gjirokastër me nofkën “Çilo Hunderri” ishte nisur nga Tirana për në Gjirokastër pasditen e së shtunes. Rrugës, pa hyrë në qytet, ka konsumuar një kafe me 26-vjeçarin Erigels Mela. Të dy bashkë vazhduan drejt qendrës por në bulevardin “18 shtatori”, përballë Drejtorisë së Policisë, vetem 10 metra larg saj, makina shpërtheu ne ecje. Nga shpërthimi i fuqishëm, “Mercedes Benz” në pronësi të Çilo Hunderrit” përfundoi në trafikndarëse.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën hetuesit, ndërsa dy të plagosurit u transportuan në spital. Mëngjesin e kësaj të diele u tentua transportimi i 45-vjecacrit drejt Spitalit të Traumës por humbi jetën në ambulancë. Ndërsa miku i tij, 26-vjeçar është në gjendje të stabilizuar në spitalin e Gjirokastrës.

Ka dyshime të forta se në atentat janë përfshirë dy persona, të cilët kanë ndjekur shënjestrën nga Viroi deri tek Drejtoria e Policisë, ku realizuan shpërthimin e telekomanduar nga një distancë jo më shumë se 30 metra. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banke të nivelit të dytë, që kane filmuar ngjarjen.

Lënda plasëse, që dyshohet tritol, ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit, që vërteton plotësisht se shënjestër ishte “Çilo Hunderri”.  Fillimisht, hetimet u përqendruan tek 26-vjeçari Erigels Mela, në prill të vitit të kaluar i dogjën makinën “Range Rover”. Ngjarja asokohe nuk u zbardh, por dyshohet se ishte formë presioni. Erigels Mela ka pasur të atin prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe momentalisht e ëma e tij, Mimoza Mela, punon si sekretare në këtë Prokurori.

Tashmë hetimet janë përqendruar tek e shkuara e viktimës. Në vitet 2000 ka qenë i skeduar në Greqi për trafik të lëndëve narkotike ndërsa në Shqipëri ka qenë i dënuar në 2012 për trafik të klandestinëve.

Ndërsa pista e dytë e hetimit lidhet me hakmarrjen. Ka dyshime të forta se Beqir Devolli mund të jetë përfshirë në atentatin e Sarandës, ku mbeti i vrarë, 20 ditë më parë, 44-vjeçari Artan Myrtaj, njohur si Tani i Ruzhdiut.

Burime të tjera thanë se viktima dyshohet se ka qenë shofer i një grupi kriminal dhe nga ana tjetër dyshohet se ka pasur edhe rolin e informatorit të policisë, ku ka cuar informacione mbi trafikun e drogës. Në këtë kontekst, shpërthimi pranë Drejtorisë së Policisë dyshohet se mund të ketë qenë mesazh i koduar.