Donald Trump nuk ndalet me propozimet për ndryshimin e emrave gjeografikë. Pasi shprehu dëshirën për riemërtimin e Gjirit të Meksikës dhe më pas Liqenit Ontario, presidenti amerikan tani ka hedhur idenë që edhe Oqeani Atlantik ose ai Paqësor të marrë emrin e tij
Gjatë një mitingu në Clarksville, Tennessee, Trump tha se SHBA-së i duhet “edhe një oqean” dhe më pas propozoi 2 variante.
“Do ta quajmë ‘Oqeani i Trumpit’ ose ‘Oqeani i Amerikës’. Para se të largohem nga detyra, mendoj se duhet të kemi një oqean. Na duhet edhe një lumë i madh”, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që Trump kërkon të ndryshojë emra të njohur gjeografikë. Vitin e kaluar ai riemërtoi Gjirin e Meksikës në “Gjiri i Amerikës”, një vendim që u shoqërua me tensione me Meksikën dhe me kundërshtimin e agjencisë Associated Press, e cila refuzoi të përdorte emrin e ri.
LEXO EDHE: Sulmi në Aeroportin e Riad-it, reagon Presidenti Trump, SHBA drejt përfshirjes në luftë
Më pas, në gusht, ai vendosi që Liqeni Ontario, në kufirin mes SHBA-së dhe Kanadasë, të quhej “Liqeni Amerikan”, në kulmin e përplasjeve tregtare me Otavën.
Megjithatë, Trump tha se nuk do të prekë emrin e lumit Hudson, duke vlerësuar eksploruesin Henry Hudson, dhe as atë të lumit Misisipi. Muajin e kaluar ai hodhi edhe idenë që shteti i New Mexico të quhet “New America”, por theksoi se vendimi do t’u takonte banorëve dhe Kongresit.