A vlen kritika pa votën dhe një shënim për rastin Erion Braçe

11 Tetor 2026, 17:10Blog Nga Hermes Kafexhiu

48 orët e fundit, i gjithë rrjeti ka zier mbi debatin e votave dhe fjalëve të thyera në Kuvendin e Shqipërisë për Reformën Territoriale. Një debat “e lagu, s’e lagu” mbi qëndrimet e disa deputetëve që shprehën kritika të forta publike, të cilat u përkthyen në qëndrime, por që në fund votuan reformën.

Protagonisti kryesor i këtij zhvillimi ishte deputeti i PS-së Erion Braçe, një deputet i vjetër, me përvojë, një senator i socialistëve dhe një prej deputetëve më të votuar ndër vite në atë organizatë.

Nuk ka ndonjë surprizë deri në momentin që Erion Braçe shpreh kritika me fjali që kanë ngjyra të forta, me interpretime emocionale, me gjeste që lexohen ndryshe përpara finalizimit. E ka bërë gjithmonë këtë, nuk është ndonjë e re. Po kujtesa është e shkurtër, kur zhurma e madhe mbulon të gjitha hijet rrotull nesh.

Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë të re që Partia Socialiste, në kontekste të ndryshme të kohës, të vendosë në rreshtore, dhe sidomos në kohën e Edi Ramës. Vetë ish-kryetari historik i PS-së, në një intervistë televizive, ka shprehur mendimin se Rama, ndryshe nga ai, e mban më të mbledhur grupin parlamentar, më të unifikuar me vendimin e marrë dhe, mbi të gjitha, nuk i lë, sipas Nanos, të kenë kryengritje, si një argument për të mos prishur një unifikim.

Është kjo autoritariste? Po, dhe është.

Është kjo një disiplinë jodemokratike? Po, dhe është.

Ka një diskutim sa të vjetër, aq edhe të ri në Europë, mbi demokracitë e brendshme të partive, ashtu siç ka një tezë të famshme politike të Sartrit, që thotë se “jo domosdoshmërisht një parti politike do të duhet të jetë demokratike në vetvete për të sjellë demokracinë”.

Mos të nxitohemi, shkrimi im nuk ka të bëjë fare me glorifikimin e gjesteve të Ramës. Nëse merremi dhe analizojmë ende Ramën në këtë vend, ka një harxhim të madh kohe.

Rama është aty, është ai që është, krejtësisht i unifikuar me pushtetin e tij të centralizuar dhe krejtësisht i pamëshirshëm për t’i lënë të tjerët të përsërisin historinë e tij të dikurshme të kryengritjes. Është padyshim i vetmitizuar, në individualitet të plotë politik, ku, pavarësisht se shprehet se Partia Socialiste është e para, ai shpeshherë ka nënkuptuar se Edi Rama është Partia Socialiste, dhe jo më kot, në sloganin e fundit të fushatës, ai e vendosi parullën politike “Me Edin”.

Në këtë kontekst, nëse do të duam të jemi krejtësisht të ftohtë, tërësisht të tokëzuar, duhet të bëjmë një hesap me haxhi në këtë histori.

Për mua personalisht, nuk është pyetja nëse Erion Braçe bëri mirë që e ktheu votën. Kjo pyetje ka shumë përgjigje: e para, që Braçe nuk ka përballuar presionin; e dyta, që Braçe ka qenë përballë një vendimi sa personal, aq edhe politik; e treta, mund të ketë pasur një bisedë që ne nuk e dimë; e katërta, mund të jetë i vërtetë edhe aludimi që Braçe ka bërë një lloj testi politik, që s’është dhe aq i pazakonshëm për parti të mëdha, të cilat shpikin një antagonist të brendshëm për të bërë njërën palë “policin e mirë, policin e keq”; edhe e pesta mund të jetë e vërteta, siç ai vetë ka thënë ditën e djeshme.

Po çfarë është e rëndësishme për ne sot? Për mua s’është fare e rëndësishme nëse Braçe apo të tjerët ruajtën dinjitetin përballë fjalës etj. Për mua është e rëndësishme përgjigjja e një pyetjeje:

A vlen kritika pa votën?

A vlen gjithë kjo seri dhe sagë që pushton ekranet pa aktin e fundit politik dhe rezultatin final?

Kjo është një përgjigje që ne duhet të marrim nga çdo Braçe që e bën këtë punë, sepse kjo na intereson, për të mos rënë në kurthin e pyetjes: “Si duhet ta besojmë këtë histori?”

Ajo për të cilën unë kam një përgjigje, nga një eksperiencë personale, është se njerëzit që janë jashtë kësaj pune nuk kanë për ta kuptuar kurrë se brenda një partie politike ndërveprimi është krejt ndryshe nga ajo që perceptohet nga jashtë. E vërteta e gjithë kësaj historie është se Rama e donte votimin e Reformës Territoriale të plotë, pa asnjë plasaritje, për të dhënë një mesazh të qartë elektoral. Vendimi, në vetvete, ishte një vendim politik elektoral, për t’u treguar të gjithëve përreth, që e shohin atë dhe PS-në si të plagosur nga lufta me SPAK-un, se ai dhe organizata e tij janë ende një fuqi elektorale. Rama e dinte shumë mirë se sa do t’i kushtonte qëndrimi kundër i Braçes.

Ndërsa ajo që ne nuk dimë akoma është pikërisht ajo se sa vlen kritika e një deputeti pa vendimin e tij final.

Lini një Përgjigje