Të paktën 139 migrantë, përfshirë fëmijë, vdesin pasi anija përmbyset në brigjet e Xhibutit
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) njoftoi të dielën se të paktën 139 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën pasi një anije me 305 migrantë u përmbys në brigjet e Xhibutit, në Afrikën Lindore. Ky incident tragjik, një nga më vdekjeprurësit në këtë rrugë të rrezikshme, la gjithashtu të paktën 84 persona të zhdukur.
Anija po udhëtonte nga Xhibuti drejt Jemenit kur u përmbys të enjten mbrëma ose të premten në mëngjes. Më shumë se 80 persona mbijetuan, të gjithë shtetas etiopianë. IOM shpërndau një video ku shiheshin sende personale, si këpucë, në një plazh, ndërsa puna e shpëtimit vazhdonte me frikën në rritje për të zhdukurit.
Dhjetëra mijëra migrantë nga Briri i Afrikës udhëtojnë çdo vit përmes Xhibutit dhe ngushticës Bab el-Mandeb drejt vendeve të Gjirit në kërkim të sigurisë dhe mundësive ekonomike. Ky lëvizje ka vazhduar pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve në Jemen, në anën tjetër të ngushticës.
Alexandre Coissac, Shefi i Misionit të IOM në Xhibut, e quajti këtë “një humbje shkatërruese jetësh” dhe një “kujtesë të hidhur të rreziqeve me të cilat përballen migrantët përgjatë këtij korridori migracioni”. Drejtoresha e Përgjithshme e IOM, Amy Pope, theksoi se “askush nuk hipën në një anije të tillë nëse nuk beson se nuk ka asnjë mënyrë tjetër të sigurt”.
Pope bëri thirrje që këto vdekje të mos trajtohen si normale dhe kërkoi nga qeveritë dhe donatorët të veprojnë për të krijuar rrugë të sigurta dhe ligjore, të cilat shpëtojnë jetë, “para se të fundoset anija tjetër”. Sipas Projektit të IOM për Migrantët e Zhdukur, mbi 900 migrantë humbën jetën ose u zhdukën përgjatë kësaj rruge vitin e kaluar.
Marrë nga NBC News

