Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi, ka deklaruar se opozita duhet të përshkallëzojë protestat brenda dhe jashtë institucioneve, duke përjashtuar çdo mundësi negociatash me kryeministrin Edi Rama.
I ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV, me moderatorin Edvin Parruca, Blushi ka kritikuar reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një proces të imponuar nga Rama, pa konsultim me qytetarët dhe pa mbështetjen e këshillave bashkiakë.
Sipas Blushit, reforma është kundërshtuar edhe nga votues të Partisë Socialiste, të cilët, siç tha ai, kanë djegur publikisht teserat e partisë në disa bashki. Ai pretendoi gjithashtu se këshillat bashkiakë kanë votuar unanimisht kundër saj, pavarësisht dallimeve politike.
Deputeti argumentoi se ndryshimet territoriale synojnë largimin e shërbimeve publike nga qytetarët, duke përmbysur marrëdhënien mes shtetit dhe individit. Ai kundërshtoi edhe argumentin se modeli i reformës bazohet në direktiva të Bashkimit Evropian, duke iu referuar si shembuj Italisë dhe Sllovenisë.
‘Për sa kohë kemi një reformë e cila nuk është konsultuar me qytetarët, nuk është konsultuar as me votuesit e Partisë Socialiste të cilët në mënyrë publike kanë djegur teserat në disa bashki.
Një reformë e cila është kundërshtuar me vendim të Këshillit Bashkiak në mënyrë unanime, pra përtej ngjyrimit dhe dallimeve politike, të gjithë Këshillat Bashkiakë kanë votuar kundër. Një reformë e cila nuk u konsultua me qytetarët.
Një reformë e cila u imponua me dhunë nga Edi Rama, ka vetëm një qëllim pikërisht pra, largimin e shërbimeve dhe nëpërmjet largimit të shtetit nga qytetari, pra tani në vend që të jetë shteti që të jetë pranë qytetarit, duhet të jetë qytetari që duhet të vrapojë pas shtetit.
Një logjikë e cila nuk funksionon dhe nuk gjendet në asnjë vend të rajonit e jo më në një vend të Bashkimit Evropian ku mjafton krahasimi me Italinë, mjafton krahasimi me Slloveninë apo jo, për të kuptuar që pretendimi se këto janë direktiva të Bashkimit Evropian apo se ky model është marrë nga Bashkimi Evropian nuk qëndron.
Së pari ju iu referuat demokracive kushtetuese dhe demokracive parlamentare. Shqipëria nuk është as demokraci parlamentare dhe as demokraci kushtetuese sepse rekordet e shkeljes së kushtetutës nga kjo qeveri janë tashmë në dritë të diellit.
Kemi të bëjmë me një regjim i cili në 11 vite, falë kapjes në të kaluarën të lidershipit opozitar, falë kapjes së sistemit të drejtësisë, arriti të kapte për fyti të gjithë shtetin. Ndaj në këto kushte, e vetmja zgjidhje, pra sigurisht që situata është shumë e rëndë, por situata nuk është e pashpresë, nuk ka vend për pesimizëm, nuk ka vend për dorëzim, e vetmja zgjidhje edhe e vetmja rrugë është përballja.
Përballja do të thotë përshkallëzim të protestave në të gjitha format brenda institucioneve dhe jashtë institucioneve. Asnjë zgjidhje tjetër nuk mund të shtrohet në tavolinë. Asnjë negociatë nuk mund të ketë me Edi Ramën.
Kush shpreson që ulen në tavolinë me Edi Ramën apo se ndonjë lojë tjetër politike mund ta zgjidhë ngërçin e krijuar e ka shumë gabim dhe është një iluzion i cili çdo ditë po vërtetohet që nuk mund të ekzistojë, sikundër nuk mund të ekzistojë asnjë iluzion se Edi Rama apo se fundi i regjimit të Edi Ramës do të vijë nga SPAK-u apo nga ky sistem drejtësie i kapur për fyti prej tij dhe që komandohet plotësisht thjesht dhe vetëm në funksion të mbajtjes në këmbë të Edi Ramës. I gjithë problemi sot ka vetëm një emër, që është Edi Rama.’, tha Tedi Blushi në SYRI TV.
© SYRI.net