Trump njofton për armëpushim energjetik mes Moskës dhe Kievit, Zelensky: Nuk isha në dijeni

Volodymyr Zelensky ka shprehur habi pas deklaratës së Donald Trumpit për një marrëveshje armëpushimi energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se Kievi nuk ishte informuar më herët për një dakordësi të tillë.

Të lidhura

None found

Gjatë një bisede telefonike me median amerikane Axios, presidenti ukrainas tha se njoftimi i Trumpit ishte i ri për të. Megjithatë, ai nënvizoi se Ukraina do ta pranonte armëpushimin nëse Rusia do të angazhohej seriozisht për ndërprerjen e sulmeve.

“Për mua është një lajm i ri. Por, nëse rusët janë dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do ta pranojë”, deklaroi Zelensky.

Trump e bëri njoftimin përmes platformës Truth Social, ku tha se marrëveshja kishte hyrë menjëherë në fuqi dhe se ishte pranuar nga të dyja palët. Presidenti amerikan, megjithatë, nuk sqaroi sa do të zgjaste armëpushimi dhe as se si do të kontrollohej zbatimi i tij.

Sipas TGCOM24, në kohën kur Trump publikoi deklaratën, Kremlini ende nuk kishte dhënë një reagim zyrtar.

Ende nuk dihet se në ç’mënyrë është arritur marrëveshja e pretenduar dhe nëse Moska e Kievi kanë rënë dakord përfundimisht mbi kushtet konkrete të saj.

Armëpushimi energjetik do të përfshinte ndërprerjen e sulmeve ndaj impianteve të prodhimit dhe rrjeteve të furnizimit me energji, të cilat gjatë luftës janë shndërruar në objektiva të rëndësishëm.

Zelensky komentoi gjithashtu kërkesën e Trumpit që Ukraina të mbajë zgjedhje të reja presidenciale.

Ai tha se përcaktimi i drejtimit politik të vendit është në kompetencë të popullit ukrainas dhe i kërkoi presidentit amerikan t’i bëjë thirrje Vladimir Putinit për një armëpushim të plotë, në mënyrë që të krijohen kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Ju lutem, thuajini Putinit, na jepni dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, dhe ne do të organizojmë zgjedhjet”, u shpreh Zelensky në një intervistë për emisionin This Week të ABC.

Këto deklarata u bënë në një periudhë të tensionuar mes Kievit dhe Uashingtonit, pas kritikave të Trumpit ndaj sulmeve ukrainase kundër rafinerive ruse të naftës dhe përplasjeve rreth mënyrës se si duhet të vijojnë bisedimet për përfundimin e luftës.


Shtuar më 11.10.2026 18:06