Aktualitet Sport

Derbi premton spektakël, formacionet zyrtare të Partizani-Tirana!

Gjithçka gati për derbin e madh të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Pak më parë të dyja ekipet kanë zbardhur formacionet zyrtare për duelin e shumëpritur në “Air Albania”, ku rivaliteti historik mes dy skuadrave pritet të shoqërohet me emocione të forta si në fushë, ashtu edhe në tribuna.

Të dy trajnerët kanë bërë zgjedhjet e tyre, teksa në fushë do zbresin më të mirët. Partizani-Tirana vlen për javën e gjashtë të kampionatit.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Qirko; Atanaskoski, Janjeva, Aliu, Ismaili, Skuka, Himallari, Human, Marku, Ogunleye, Mija.

Trajner: Florin Bratu.

TIRANA: Bekaj; Ndong, Krymi, Myslovic, Daci, Vitija, Xhixha, Qerimaj, Hazrollaj, Ilievski, Stanic.

Trajner: Dean Klafuriç

Sherri mes tifozëve i parapriu derbit të parë të sezonit mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet sot në “Air Albania”, në orën 18:30. Pak para nisjes së ndeshjes në “Air Albania”, disa tifozë janë përplasur me efektivët e Policisë pranë hyrjeve të stadiumit. Gjatë incidenteve, policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa tifozët po përgatiten të hyjnë në stadium për të ndjekur derbin. Disa orë para sfidës, pranë stadiumit pati përplasje mes mbështetësve të dy skuadrave, ku u hodhën edhe flakadanë, ndërsa ndërhyrja e policisë normalizoi situatën. Në mbrëmje, dy rivalët historikë zbresin në fushë në një përballje me peshë të madhe, pasi të dy ekipet po kalojnë një nisje zhgënjyese të kampionatit dhe kërkojnë fitoren që mund t’u japë kthesë rezultateve.

Derbi i javës së gjashtë vjen në një moment të pazakontë për dy skuadrat e kryeqytetit. Pas pesë ndeshjeve të para, Tirana ka grumbulluar vetëm pesë pikë dhe renditet e gjashta, ndërsa Partizani ka katër pikë dhe ndodhet në vendin e tetë. Për të dy ekipet, tri pikët vlejnë jo vetëm për renditjen, por edhe për të lënë pas momentin e vështirë.

Edhe pse të dyja skuadrat nuk po kalojnë formën më të mirë, derbi mbetet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar. Kjo do të jetë përballja e 213-të mes tyre, me Partizanin që kryeson bilancin historik me 84 fitore, kundrejt 63 të Tiranës, ndërsa 65 ndeshje kanë përfunduar në barazim.