Ministri Hoxha reagon ndaj deklaratës së Ministrit serb Ivica Daçiç: Kosova është realitet i pakthyeshëm

11 Tetor 2026 | 18:16

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb Ivica Daçiç i cili tha se flamuri serb do të valëvitet një ditë mbi Prizrenin, duke përsëritur pretendimet e Beogradit për Kosovën.

Sipas Hoxhës, e gjithë kjo deklaratë është një retorikë kërcënuse e cila po përdoret për përfitime politike. Ai shton se Kosova është një shtet sovran dhe demokratik, e ardhmja e së cilës duhet të jetë një e ardhme paqeje dhe sigurie.

Fjala e plotë e Ferit Hoxhës:

Ministri serb Ivica Daçiç, gjatë fushatës elektorale, i premtoi audiencës së tij se “do ta ngrinte sërish flamurin e tyre” në Kosovë.

Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime.

Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.

Megjithatë, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.

Ndërtimi i paqes dhe besimit kërkon kohë, shpesh vite, në mos dekada. Ai kërkon vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Vetë Evropa u ndërtua mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.

Në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika provokuese. Nuk mund të lejojmë t’i harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim gabimet e së kaluarës.

Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po konsolidon vazhdimisht pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë një e ardhme paqeje, sigurie, gjithëpërfshirjeje dhe integrimi evropian.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump njofton “armëpushim energjetik” mes Rusisë dhe Ukrainës: Palët kanë rënë dakord

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për një “armëpushim energjetik” mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se ajo hyn në fuqi...
16:24 | 11/10/2026

Zelensky: Do të organizojmë zgjedhje në Ukrainë nëse Putin bën një armëpushim dy mujor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha të dielën në përgjigje të komenteve kritike nga homologu i tij amerikan, Donald Trump se ai do të organizojë zgjedhje...
16:08 | 11/10/2026

Shpërthimi në rafinerinë greke, humb jetën edhe punëtori i dytë shqiptar! 4 të arrestuar

Ka ndërruar jetë edhe shqiptari tjetër i cili u plagos rëndë pak ditë më parë pas një shpërthimi në një rafineri në Greqi. 50-vjeçari, Dorian...
15:37 | 11/10/2026