VIDEO/ “Nuk mund t’i kuptosh piramidat pa terapinë e shokut,” Kajsiu: Ishte modeli neoliberal që prodhoi krizën

11 Tetor 2026, 19:30Politika TEMA
VIDEO/ “Nuk mund t’i kuptosh piramidat pa terapinë e

Historia e krizës së vitit 1997 mund të tregohet në dy versione: e para, se modeli i tranzicionit ishte në thelb i drejtë, por u zbatua keq dhe u korruptua, ose se vetë modeli ekonomik prodhoi kushtet që çuan drejt krizës. Politologu Blendi Kajsiu mbështet leximin e dytë, duke argumentuar se papunësia, deindustrializimi dhe mungesa e mbështetjes sociale krijuan një dëshpërim që e futi shoqërinë në atë që ai e quan “logjika e lotarisë”. Në Apostrof nga Bjorn Runa, ai kundërshton edhe narrativën se firmat piramidale ishin pasojë e “injorancës” së shqiptarëve ndaj kapitalizmit.

“Unë nuk jam me këtë ‘modeli u zbatua keq’, se me këtë logjikë edhe komunizmi si model u zbatua keq.

Me këtë logjikë çdo model zbatohet keq... Por ndoshta modeli nuk zbatohet dot mirë dhe fakti që një model nuk zbatohet dot mirë është pjesë e problemit të modelit...

Ky ishte versioni i Bankës Botërore dhe komunitetit ndërkombëtar, pra që ’97-a ishte produkt i korrupsionit.

Pra ranë skemat piramidale sepse pati korrupsion. Dhe këtu ndërhyn Banka Botërore dhe fillon të thotë që korrupsioni nuk është degradim, korrupsioni është ryshfet, është abuzim me postin publik, pra është një produkt thjesht i administratës publike.

Dhe e thotë këtë Banka Botërore, natyrisht sepse i interesonte ta thoshte, se s’mund të thoshte që modeli që ne zbatuam ishte i gabuar. Në ’97-ën thotë këtë Banka; në ’96-ën thoshte që Shqipëria është vendi më i suksesshëm. Gjithmonë para katastrofës ne na shpallin vendin më të suksesshëm.

Në ’96-ën ne ishim ylli ndriçues, ‘the shining star’ i FMN-së dhe Bankës Botërore. Dilte Berisha dhe thoshte: ‘Nuk ka vend më privat në botë’, e thoshte me krenari. ‘S’ka vend më privat në botë se Shqipëria’. Dhe natyrisht që Bankës Botërore i duhej kjo histori për të thënë që s’ishte problem me reformat.

Natyrisht do bëjmë gjeneratën e dytë të reformave liberale, shteti është i nevojshëm, por në funksion të tregut. Tregu është motori.

Unë mendoj që nuk ishte kështu, sepse po të shikosh pse ndodhën piramidat, duhet të kuptosh komplet kontekstin social. Natyrisht Banka Botërore filloi të thoshte që shqiptarët janë injorantë, nuk njohin kapitalizmin. Tani Bernie Madoff ndodh edhe në Amerikë. Pra, skema piramidale ke edhe në Amerikë, por kur ndodh në Amerikë nuk mund t’u thuash amerikanëve që jeni injorantë.

Por problemi nuk ishte as injoranca e shqiptarëve, nuk ishte as keqimplementimi i reformave. Përkundrazi, reformat u implementuan jashtëzakonisht mirë... Por çfarë prodhuanato? Reformat prodhuan papunësi të jashtëzakonshme, mungesë totale të mbështetjes sociale, deindustrializim total.

Imagjino tani një popullatë që ka humbur nga inflacioni të ardhurat, ka humbur punën nga deindustrializimi, nuk ka asnjë mbështetje nga shteti. Detyrohet t’i futet aktivitetit kriminal, parave të pista, që janë si para llotarie.

Kjo shoqëri futet në logjikën e llotarisë. Piramidat janë lotari. Kjo krijon dëshpërim social. Çfarë prodhon dëshpërimi social? Prodhon piramidat. Piramidat ndërtohen mbi dëshpërim social. 

Pse ndodhi budallëku kolektiv i shqiptarëve? O shqiptarët janë idiotë, ndryshe nga të gjithë të tjerët, që unë këtë s’e besoj, ose budallallëku ishte social, nuk ishte individual, sepse shkuan të gjithë. 

Nga vjen ky budallëk? Nga dëshpërimi. Nga vjen dëshpërimi? Nga situata ekonomike ku ishin shqiptarët. Pra ishin në një moment që: ‘O burra, ta kapim këtë shans se s’kemi shans tjetër’.

Në qoftë se unë kam një punë të qëndrueshme me një rrogë të mirë, a do t’i vë unë të gjitha të ardhurat në një firmë piramidale? S’ka sens.

Atëherë nga ndodhi ky dëshpërim social? Nga terapia e shokut. Pra, nuk mund t’i kuptosh piramidat pa terapinë e shokut. Ama, po ta kuptosh piramidën si produkt të terapisë së shokut, nuk mund të vazhdojmë me terapinë e shokut në versionin dy.”

Lini një Përgjigje