Nëpunësit që duan të kryejnë veprimtari të jashtme përveç punës në Ministrinë e Arsimit duhet të marrin aprovim me shkrim nga eprori, pas verifikimit nëse është e lejueshme ose jo. Ministrja Mirela Kumbaro ka miratuar Kodin e Etikës ku të gjithë nëpunësit do të duhet të zbatojnë rregullat e sjelljes brenda dhe jashtë institucionit, me qëllimin për të mos cënuar imazhin e administratës. Nëpunësit e institucionit duhet të garantojnë se të gjitha asetet, mjetet e punës, infrastruktura teknologjike dhe bazat e të dhënave zyrtare përdoren ekskluzivisht për përmbushjen e detyrave funksionale dhe në shërbim të interesit publik. Për të siguruar paanshmërinë politike dhe integritetin e institucionit, këto burime nuk mund të vihen në dispozicion të aktiviteteve gjatë fushatave elektorale.