Çfarë i shtyn shqiptarët të mobilizohen për futbollin, por jo për të drejtat e tyre?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.10.2026, 19:58

Sot Tirana ka një kauzë që nuk pret: derbin Tirana-Partizani. Mijëra tifozë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të mbështetur skuadrat e tyre, ndërsa rivaliteti mes dy tifozerive ka degjeneruar edhe në përplasje fizike, me hedhje flakadanësh dhe tensione me policinë pranë stadiumit “Air Albania”.

Për një ndeshje futbolli ka zë, pasion, organizim dhe njerëz që janë gati të përballen me tifozët kundërshtarë për ngjyrat e skuadrës së tyre. Emocionet janë aq të forta, sa rivaliteti sportiv mund të dalë jashtë kontrollit, ndërsa policia detyrohet të ndërhyjë për të vënë situatën nën kontroll.

Por, përtej asaj që po ndodh sot në kryeqytet, lind një pyetje që shkon përtej futbollit: çfarë i ndez shqiptarët kaq shumë për një ndeshje, ndërsa për të drejtat e tyre shpesh nuk reagojnë me të njëjtën forcë?

Për një gol, shpërthen stadiumi. Për ngjyrat e një fanellë, njerëzit mbushin rrugët. Për rivalitetin mes dy skuadrave, gjenden kohë, energji dhe gatishmëri për t'u përballur me njëri-tjetrin. Por kur vjen puna te pagat që nuk përballojnë jetesën, çmimet që rëndojnë familjet, shërbimet publike që lënë për të dëshiruar dhe politikanët që duhet të japin llogari, sa prej kësaj energjie shndërrohet në reagim qytetar?

Duket se ndonjëherë është më e lehtë të zemërohesh për humbjen e skuadrës së zemrës sesa për problemet që të rëndojnë jetën. Më e lehtë të shohësh kundërshtar te dikush që mban fanellën tjetër, sesa të kuptosh se jashtë stadiumit të dy mund të përballen me të njëjtat vështirësi.

Tirana dhe Partizani janë kundërshtarë në fushë, por faturat, çmimet dhe problemet e përditshme nuk bëjnë dallim mes bardhebluve dhe të kuqve. Për 90 minuta mund të jesh në krahë të ndryshëm, por jashtë stadiumit je qytetar i të njëjtit vend dhe ke të njëjtat të drejta për të kërkuar një jetë më të mirë.

Sigurisht, pasioni për futbollin nuk është problemi dhe jo çdo tifoz është përgjegjës për incidentet. Por kontrasti mes mobilizimit për sportin dhe reagimit ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve ia vlen të diskutohet.

Çfarë i shtyn shqiptarët të mobilizohen deri në përplasje për një ndeshje futbolli, ndërsa për të drejtat e tyre, që ndikojnë çdo ditë në jetën e tyre, shpesh zgjedhin të heshtin?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit