
Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se është ndaluar një person i akuzuar për planifikimin e një atentati kundër tij dhe ministrit të tij të Mbrojtjes.
Ministria e Brendshme kishte raportuar më herët se policia kishte marrë informacione të besueshme lidhur me sulme të mundshme ndaj Tuskut dhe Wladyslaw Kosiniak-Kamyszit.
Shërbimet e sigurisë zhvilluan një mbledhje të posaçme të dielën pasi morën informacionet për sulmet e planifikuara, ndërsa një zëdhënës deklaroi se zyrtarët po e trajtonin kërcënimin si "jashtëzakonisht serioz".
Tusk falënderoi policinë për "veprimin e shpejtë dhe vendimtar" në arrestimin e të dyshuarit.
I dyshuari u arrestua në rajonin e Silezisë së Poshtme dhe është shtetas polak; këtë e bëri të ditur për mediat lokale Jacek Dobrzynski, zëdhënës i Koordinatorit të Shërbimeve Speciale.
"Në këtë rast, bëhet fjalë për një mundësi të madhe që këto kërcënime të mund të viheshin realisht në zbatim," tha ai.
Plani u zbulua kur Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes përgjegjës për sigurinë e ministrave i përcolli policisë një email që përmbante informacione për sulmin e mundshëm, tha zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Galecka.
Tusk mban postin e kryeministrit të Polonisë që nga viti 2023, pasi e kishte ushtruar të njëjtin funksion edhe në periudhën 2007-2014. Versus.al

