
Eurodeputeti Raphaël Glucksmann do të jetë kandidati i së Majtës Socialdemokrate për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm. Ai mori më shumë se 66% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake ku morën pjesë 120 787 votues. Lideri i partisë Place Publique fitoi me një diferencë të madhe ndaj liderit të Partisë Socialiste Olivier Faure, i cili mori 14%. Tre kandidatët e tjerë, Ségolène Royal, Jérôme Goetz dhe Emmanuel Morel, morën të gjithë më pak se 10% të votave.
Raphaël Glucksmann është eseist dhe regjisor dokumentarësh. Ai është bashkëthemelues dhe lider i partisë së qendrës së majtë Place Publique. Glucksmann shërben si deputet i Parlamentit Evropian që nga viti 2019, ku është pjesë e grupit të Progresistëve dhe Socialistëve (S&D).
Lindi më 15 tetor 1979 në Boulogne-Billancourt dhe është i biri i filozofit të njohur francez, André Glucksmann. Ai ka përfunduar studimet në Institutin e Studimeve Politike në Paris.
Përpara se të hynte në politikën franceze, ai ka punuar nga viti 2009 deri në 2012 si këshilltar special i ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, duke mbështetur një linjë të fortë pro-perëndimore.
Ka udhëhequr listat e përbashkëta të Partisë Socialiste dhe Place Publique në zgjedhjet evropiane të viteve 2019 dhe 2024 (ku siguroi rreth 13.8% të votave). Në Parlamentin Europian, ai është dalluar për qëndrimet e tij të ashpra kundër ndërhyrjeve të huaja dhe ka mbrojtur të drejtat e pakicës ujgure në Kinë, gjë që solli edhe sanksionimin e tij nga qeveria kineze.
Glucksmann pozicionohet si një mbrojtës i vendosur i demokracisë liberale, federalizmit evropian dhe Ukrainës, duke mbajtur një qëndrim kritik dhe të ashpër ndaj Rusisë dhe Vladimir Putinit.
Objektivi i tij kryesor për vitin 2027 është të përfaqësojë një alternativë ndaj liderit të së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon (me të cilin refuzon çdo aleancë), dhe të thyejë dominimin e së djathtës ekstreme të udhëhequr nga Marine Le Pen. ©LAPSI.al