Greqi/ 58-vjeçari shqiptar gjendet i pl*gosur rëndë në banesë, dyshohet një 17-vjeçar
Një 58-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë me thikë gjatë natës në Agia Galini, në zonën e Rethymnos, në ishullin e Kretës, në Greqi. Për ngjarjen, policia greke ka shpallur në kërkim një 17-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në sulm.
Sipas të dhënave paraprake, shqiptari, i cili jeton në këtë zonë së bashku me familjen e tij, është sulmuar në banesën ku ndodhej. Ai ka marrë dy goditje me thikë në bark, duke pësuar dëmtime që kërkuan ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Fillimisht, 58-vjeçari u transportua në Qendrën Shëndetësore të Moires, ku mori ndihmën e parë. Për shkak të gjendjes së tij, mjekët vendosën ta dërgonin me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI), ku po vijon trajtimi nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e 17-vjeçarit të dyshuar, si dhe për të përcaktuar motivet që çuan në plagosjen e shqiptarit.

