Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar arritjen e një “armëpushimi energjetik” mes Rusisë dhe Ukrainës, që parashikon ndalimin e sulmeve të ndërsjella ndaj infrastrukturës energjetike. Përmes një postimi në “Truth Social”, Trump deklaroi se të dyja palët kanë rënë dakord për marrëveshjen dhe u bëri thirrje që ajo të mos shkelet. “Me efekt të menjëhershëm, ka një armëpushim energjetik në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni”, shkroi presidenti amerikan. Presidenca ukrainase reagoi duke konfirmuar gatishmërinë e Kievit për respektimin e armëpushimit, ndërsa kërkoi nga Shtetet e Bashkuara sqarime lidhur me momentin kur marrëveshja do të hyjë konkretisht në fuqi. “Ne e pranojmë armëpushimin energjetik dhe është pozitive që edhe Moska e bën këtë. Presim nga Shtetet e Bashkuara njoftimin për kohën e fillimit dhe hapat e mëtejshëm”, thuhet në reagimin e palës ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky bëri të ditur gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me zhvillimin e fundit. Zelensky theksoi se Ukraina mbështet çdo hap që çon drejt uljes së tensioneve, mbrojtjes së jetëve njerëzore dhe krijimit të kushteve për përfundimin e luftës dhe një paqe të qëndrueshme. Sipas tij, tashmë priten detaje të mëtejshme nga pala amerikane për mënyrën e zbatimit të armëpushimit.