Një tjetër sulm ka goditur aeroportin ndërkombëtar King Khalid në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, për të dytën ditë radhazi. Sipas autoriteteve saudite, një predhë goditi një nga terminalet e aeroportit, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e disa personave. Sulmi vjen një ditë pas goditjes së përgjakshme ndaj të njëjtit aeroport, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë përgjegjësinë për sulmet, duke deklaruar se kanë përdorur raketa balistike, raketa kruz dhe dronë. Ata pretendojnë se po godasin Arabinë Saudite për shkak të mbështetjes që Riadi i jep forcave qeveritare në luftën civile në Jemen, si dhe pas një sulmi ajror ndaj aeroportit të Sanaas. Zëdhënësi ushtarak i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, konfirmoi se një predhë goditi terminalin e pasagjerëve në aeroportin King Khalid, duke shkaktuar zjarr. Ndërkohë, ekipet e emergjencës ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa autoritetet e aviacionit civil njoftuan se po vlerësojnë dëmet dhe po kontrollojnë sigurinë e objekteve. Numri i të plagosurve nga sulmi i fundit nuk është bërë ende i ditur. Pas goditjeve, rebelët Huthi kanë kërcënuar drejtpërdrejt infrastrukturën ajrore saudite, duke u bërë thirrje kompanive ajrore, punonjësve dhe udhëtarëve të shmangin aeroportet dhe hapësirën ajrore të vendit. Të paktën dy linja ajrore kanë anuluar përkohësisht fluturimet për në Riad.