EMRAT/ Arrestohet ish-shefi i Urbanistikës në Tepelenë, për dëmtimin në zonën e mbrojtur të Vjosës

EMRAT/ Arrestohet ish-shefi i Urbanistikës në Tepelenë, për dëmtimin në zonën e mbrojtur të Vjosës

21:27, 11/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e arrestoi në Memaliaj 44-vjeçarin, ndërsa procedoi në gjendje të lirë Andi Hasanin, 49 vjeç. Të dy u konstatuan duke gërryer shtratin e lumit Vjosa me një mjet të rëndë, në zonën e Gallaticës, në fshatin Vasjar.

Lorenc Bami, ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Tepelenës, është arrestuar mbrëmjen e kaluar në Memaliaj, i dyshuar për veprën penale ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’.

Sipas njoftimit të Policisë, 44-vjeçari, banues në Tepelenë, u konstatua ditën e djeshme së bashku me 49-vjeçarin Andi Hasani, banues në Tiranë, duke gërryer shtratin e lumit Vjosa me një mjet të rëndë, në vendin e quajtur ‘Gallaticë’, në fshatin Vasjar.

Për të njëjtën vepër penale, Hasani u procedua në gjendje të lirë. Sipas të dhënave të bëra publike, ai punon si manovrator pranë Ujësjellës-Kanalizimeve (UK).

Lorenc Bami ka mbajtur më herët detyrën e shefit të Urbanistikës në Bashkinë e Tepelenës dhe njihet si person i afërt me ish-kryebashkiakun Tërmet Peçi, gjatë periudhës kur ky i fundit drejtonte bashkinë.

Bami është përmendur edhe në emisionin investigativ ‘Plug’, në lidhje me tenderat e Bashkisë së Tepelenës. Ai raportohet gjithashtu se ka qenë nënkontraktor në projektin e ujësjellësit të Memaliajt, një projekt që ka përfunduar në hetimet e SPAK-ut.

Ndërkohë, hetimet për rastin e gërryerjes së shtratit të Vjosës vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco