Plagosi bashkëkombësin e tij në Tiranë, arrestohet në Greqi 19-vjeçari turk

Një 19-vjeçar turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje është arrestuar në Greqi.

Sipas burimeve, i riu dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri të 36-vjeçarit turk Halil Uçar, ngjarje e ndodhur më 9 mars të këtij viti në një lokal në zonën e Saukut, në Tiranë.

Të lidhura

None found

Si ndodhi plagosja në Sauk

Sipas të dhënave, autori i dyshuar dhe i plagosuri ndodheshin në tavolina të ndryshme dhe në kate të ndryshme të lokalit.

Pasi kishte darkuar në katin e parë, 19-vjeçari dyshohet se është ngjitur në katin e dytë, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Halil Uçarit, duke e plagosur me një plumb në shpatull.

Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

U arrestua gjatë një kontrolli policor në Greqi

19-vjeçari u arrestua në Greqi së bashku me dy shtetas të tjerë turq, të moshës 21 dhe 22 vjeç, gjatë një kontrolli policor në aksin rrugor Kalamata-Pylos.

Sipas autoriteteve greke, operacioni u krye nga efektivët e Ekipit të Parandalimit dhe Ndërhyrjes së Policisë në Mesini, ndërsa tre të rinjtë u arrestuan për vepra penale që lidhen me shkeljen e legjislacionit për narkotikët, të huajt dhe falsifikimin.

Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, policia gjeti dhe sekuestroi 14.7 gramë marijuanë, si dhe një sasi të vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.

Gjithashtu, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan nga policia, ndërsa nga verifikimet rezultoi se të dy qëndronin në mënyrë të paligjshme në Greqi.

Në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana

Gjatë verifikimeve, autoritetet greke konstatuan se 19-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me Njoftim të Kuq të Interpolit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare.

Ai akuzohet për tentativë vrasje dhe vepra penale që lidhen me mbajtjen dhe përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Sauk.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan gjithashtu katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.


Shtuar më 12.10.2026 08:39