Rezistenca e cila vijon prej 4 muajsh në Tiranë, është shtrirë edhe në Bruksel. Njëri prej protestuesve, studenti Jurgen Shpërdhea për të shfaqur revoltën e shqiptarëve, vendosi ta kalonte natën para godinës së Parlamentit Europian në Bruksel.
Teksa mbante në duar një pankartë ku shkruhet se shqiptarët “nuk janë krahu i lirë i punës në BE”, i riu tha se po protestonte për t’i treguar edhe presidentes së KE, Ursula von der Leyen se shqiptarët nuk ndihen të përfaqësuar dhe se nuk duhet të japë mbështetjen për qeverinë e Ramës.
“E mbani mend sesi ndenja para Parlamentit shqiptar gjithë natën? Tani kam ardhur mu në zemër të Brukselit para Parlamentit Europian për t’i treguar kryetradhtarit tonë Ramës, por edhe Ursula von der Leyen se edhe nëse bëjnë sikur nuk na dëgjojnë, do i detyrojmë të na dëgjojnë. Shqipëria nuk është në shitje, Shqipëria është vetëm e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”- u shpreh i riu i cili në videot e tjera të publikuara thekson se shqiptarët po detyrohen të largohen nga vendi për shkak të keqqeverisjes.
Ndërkohë në Tiranë është thirrur një tjetër protestë kombëtare më 13 tetor për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të klasës së vjetër politike. Versus.al

