Ndjekja e vazhdueshme e tendencave të tregut nuk është domosdoshmërisht rruga drejt suksesit. Përkundrazi, kompanitë që përpiqen me çdo kusht të mbeten në modë rrezikojnë të humbasin identitetin e tyre. Ky është një nga mësimet kryesore të Donna Carpenter, bashkëthemeluese dhe Presidente e Burton Snowboards, kompania që po përgatitet të festojë 50-vjetorin në vitin 2027.
Në një intervistë për CNBC Make It, Carpenter ndan përvojën e drejtimit të një biznesi familjar të shndërruar në markë globale, duke përballuar kriza financiare, ndryshime të tregut dhe sfida të vazhdueshme menaxheriale.
Sipas saj, një nga gabimet më të mëdha të kompanive është përpjekja për të ndjekur vazhdimisht tendencat kulturore.
Në momentin që përpiqesh të ndjekësh rëndësinë kulturore, me shumë gjasa nuk je më i rëndësishëm.
Për Burton-in, strategjia ka qenë ruajtja e lidhjes së drejtpërdrejtë me konsumatorët dhe përfshirja e tyre në zhvillimin e produkteve. Çdo vendim duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë:
A e përmirëson përvojën e përdoruesit?
Ruani vlerat, ndryshoni gjithçka tjetër
Carpenter thekson se jetëgjatësia e një kompanie varet nga aftësia për të dalluar atë që duhet ruajtur nga ajo që duhet ndryshuar.
Duhet të dish çfarë të ruash dhe më pas të ndryshosh gjithçka tjetër.
Një tjetër faktor vendimtar ka qenë disiplina financiare. Burton e ka financuar zgjerimin përmes fitimeve të veta, duke shmangur borxhin afatgjatë dhe përfshirjen e investitorëve të jashtëm.
Megjithatë, kompania ka kaluar momente kritike. Në vitin 1989, gjatë krizës së institucioneve të kursim-kreditit në SHBA, banka ndërpreu financimin dhe Carpenter, atëherë drejtore financiare, u detyrua t’u kërkonte 50 punonjësve të mos i tërhiqnin menjëherë pagat. Asnjëri prej tyre nuk u largua.
Për të, kjo përvojë tregoi se kultura organizative dhe besimi i punonjësve ndërtohen mbi të gjitha në periudha vështirësish.
Një drejtues i mirë duhet të pranojë gabimet
Carpenter nënvizon se drejtimi i suksesshëm kërkon aftësi për të pranuar gabimet dhe për të ndryshuar kursin.
Burton ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në përfshirjen e grave në drejtim. Nga vetëm 10% në vitin 2002, sot gratë përbëjnë rreth gjysmën e drejtuesve të kompanisë.
Edhe qëndrueshmëria mjedisore ka kërkuar vendime që ndikojnë në përfitueshmëri. Në vitin 2011, kompania pranoi marzhe më të ulëta fitimi për të përdorur materiale më miqësore me mjedisin, me synimin për të forcuar besnikërinë e konsumatorëve në afat të gjatë.
Një tjetër mësim lidhet me kalimin e drejtimit te brezi tjetër i menaxherëve. Carpenter, e cila po largohet nga detyra e përkohshme e CEO-s, beson se një drejtues i mirë duhet të kuptojë kur dikush tjetër mund ta drejtojë kompaninë më mirë.
Sipas saj, përulësia dhe empatia janë ndër cilësitë më të rëndësishme të lidershipit. Në vlerësimin e kandidatëve, preferon të dëgjojë jo vetëm për arritjet, por edhe për gabimet dhe mësimet e nxjerra prej tyre.
Përvoja e Burton-it tregon se jetëgjatësia e një biznesi nuk mbështetet vetëm te produktet apo fitimet, por edhe te aftësia për t’u përshtatur pa humbur identitetin dhe vlerat që e kanë ndërtuar. /Monitor