Bota

Trump shpalli armëpushim për infrastrukturën energjetike në Ukrainë, por a po zbatohet?

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi arritjen e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, që synon ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi fillimisht se nuk kishte dijeni për marrëveshjen, duke theksuar se Kievi është i gatshëm ta respektojë nëse edhe Moska vepron njësoj.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump shkroi se armëpushimi hynte në fuqi menjëherë dhe se të dyja palët kishin rënë dakord.

Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni!

Por, Zelenskyy u shpreh se njoftimi ishte i papritur për të.

Ne jemi gati dhe do ta pranojmë. Ndalimi i sulmeve duhet të jetë i ndërsjellë.

Më herët, Zelenskyy kundërshtoi kërkesën e Trump-it që Ukraina të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

Sipas tij, çdo marrëveshje për ndërprerjen e sulmeve me dronë me rreze të gjatë veprimi duhet të zbatohet nga të dyja palët dhe të shoqërohet me garanci konkrete. Zelenskyy ka kërkuar gjithashtu që aleatët e Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të mbajnë presionin ndaj Rusisë.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike vijuan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Dronët rusë goditën territorin ukrainas dhe një central elektrik në Kharkiv u sulmua gjatë mbrëmjes.

Moska nuk dha konfirmim të menjëhershëm për marrëveshjen e shpallur nga presidenti amerikan. Mungesa e detajeve dhe raportimet për sulme të mëtejshme ngritën pikëpyetje mbi zbatimin e armëpushimit.