Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Tentoi të vriste me armë zjarri bashkatdhetarin e tij në Sauk, arrestohet në Greqi 19-vjeçari turk i kërkuar nga Shqipëria

Shkruar nga Newsbomb
Tentoi të vriste me armë zjarri bashkatdhetarin e tij në Sauk,
Foto ilustruese

Policia greke ka arrestuar mëngjesin e së premtes tre shtetas turq, të moshës 9, 21 dhe 22 vjeç, në aksin rrugor Kalamata-Pylos, në Meseni të Greqisë. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin të rinjtë, policia gjeti dhe sekuestroi 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi të vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.

Sipas autoriteteve greke, dy prej të arrestuarve paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan, ndërsa verifikimet zbuluan se ata qëndronin në mënyrë të paligjshme në Greqi. Gjatë operacionit, policia sekuestroi gjithashtu katër telefona celularë, karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.

19-vjeçari i arrestuar rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, ku akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Ai dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri të 36-vjeçarit turk Halil Uçar, ngjarje e ndodhur më 9 mars të këtij viti në zonën e Saukut, në Tiranë.

Në momentin e ngjarjes ata ndodheshin në të njëjtin lokal, por në tavolina të ndryshme dhe në kate të ndryshme të godinës. Pasi konsumoi darkën në katin e parë, 19-vjeçari u ngjit në katin e dytë dhe qëlloi me armë zjarri në drejtim të 36-vjeçarit, duke e plagosur me një plumb në shpatull.

Dyshohet se ai tentoi të qëllonte disa herë drejt shënjestrës, por arma u bllokua dhe vetëm një plumb u shkrep. Pas ngjarjes, ai u largua me shpejtësi nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese