Policia greke ka arrestuar 3 të rinj 19, 21 dhe 22 vjeç, në aksin Kalamata-Pylos në Meseni, të cilët rezultuan të ishin klandestinë.
Gjatë kontrollit të makinës u gjetën edhe 14.7 gramë kanabis, pak kokainë si dhe dokumentet e tyre të falsifikuara të identifikimit.
Por 19-vjeçari turk rezultoi se ndodhej në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, i akuzuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
I riu është autori i plagosjes me armë zjarri të 36-vjeçarit turk Halil Uçar, ngjarje e ndodhur në mars të këtij viti në Sauk.
Në momentin e plagosjes, ata kanë qenë në tavolina të ndara në një lokal dhe në kate të ndryshme. Autori, pasi ka konsumuar darkën në katin e parë, është ngjitur në kat të dytë dhe ka qëlluar drejt Uçar, duke e plagosur me një plumb në shpatull.
Sipas dyshimeve, ai tentoi disa herë të qëllonte ndaj shënjestrës, por vetëm një plumb u shkrep, pasi pistoleta iu bllokua. Më pas, 19-vjeçari u arratis.
Emri i tij ka mbetur ende i panjohur, ashtu si edhe motivi i ngjarjes për të cilën dyshimet e policisë asokohe ranë mbi një konflikt të mëparshëm në Turqi.
36-vjeçari e ka mohuar gjithashtu njohjen me bashkatdhetarin e tij.













