
Sekretariati i Etikës pritet të shqyrtojë sot kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin me dy muaj nga Kuvendi të deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Partia Socialiste kërkon përjashtimin e dy deputetëve nga seancat dhe komisionet parlamentare, pas tensioneve të regjistruara në seancën plenare ku u votua Reforma Territoriale. Gjatë votimit të Reformës Territoriale deputetët e opozitës hodhën shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve socialistë.
Kërkesa për masa disiplinore mban firmën e 10 deputetëve socialistë. Në argumentet e paraqitura, ata e cilësojnë sjelljen e dy deputetëve të opozitës si incidente të rënda, duke përmendur fyerje, provokime dhe sulme fizike gjatë seancës parlamentare.
Tashmë, vendimi i Sekretariatit të Etikës do të përcaktojë nëse Bardhi dhe Balliu do të përballen me masën e kërkuar nga mazhoranca. Në rast se kërkesa miratohet, dy deputetët demokratë do të mbeten për dy muaj jashtë seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare si dhe nuk do të marrin as pagat e tyre.