Skulptori shqiptar Helidon Xhixha prezanton krijimtarinë e tij më të fundit në Muzeun e Artit të Guangdongut, në Guangzhou të Kinës.
Njëzet e gjashtë skulptura monumentale prej çeliku pasqyrues sjellin një ndërthurje mes dritës, natyrës dhe iluzionit, duke e kthyer materialin industrial në një përvojë artistike që ndryshon në varësi të hapësirës dhe këndvështrimit të vizitorit.
Në ekspozitën “Reflections of the Four Seasons: Nature in Light’s Mirror”, një vend të veçantë në ekspozitë zënë skulpturat kushtuar katër stinëve.
Ngjyrat dhe reflektimet interpretojnë ndryshimet e natyrës, duke sjellë një dialog mes formës, dritës dhe kohës.
“Në këtë rast, nuk bëhet fjalë thjesht për një pasqyrë, sepse pasqyra mund të pasqyrojë të gjitha stinët dhe, përmes reflektimeve, të tregojë edhe vetë natyrën, të cilën mund ta deformojë, ta rrëfejë, por mbi të gjitha t’i japë përmasa të pafundme. Në këtë rast, kam përdorur edhe ngjyrat, siç mund të shihet edhe pas shpinës sime, dhe çdo ngjyrë përcjell një stinë. Në bazë të ngrohtësisë dhe potencialit të dritës që mbart në vetvete, ajo rrëfen edhe stinët që mbart brenda vetes”, tha skulptori Helidon Xhixha.
Ekspozita dëshmon zhvillimin e kërkimit artistik të Xhixhës dhe aftësinë e tij për të shndërruar një material të fortë industrial në forma që përcjellin lëvizje, lehtësi dhe fluiditet.
“Veprat e tij kapin dritën përmes materialeve. Ato kapin marrëdhënien mes nesh dhe veprës. Dhe më pas, marrëdhëniet mes dritave të ndryshme. Dhe transformimet që ndodhin brenda veprës. Kjo është arsyeja pse veprat e tij duken statike. Dhe ato i nxisin njerëzit të reflektojnë. Por, në të vërtetë, ato janë dinamike, duke u transformuar vazhdimisht”, tha kuratori Ji Shaofeng.
Në Guangzhou, arti i Helidon Xhixhës e vendos spektatorin përballë një realiteti që ndryshon vazhdimisht. Një përvojë ku skulptura nuk është vetëm një objekt për t’u parë, por një hapësirë reflektimi mbi natyrën, dritën dhe mënyrën se si ne e perceptojmë botën. A.K./TemA
Lini një Përgjigje