Nga plazhet te peizazhet natyrore, eksperti britanik vlerëson potencialin turistik të Shqipërisë

12 Tetor 2026, 11:00Turizëm TEMA
Nga plazhet te peizazhet natyrore, eksperti britanik vlerëson potencialin

Eksperti britanik i udhëtimeve, Rory King, i cili ka vizituar 80 vende të botës, rekomandon një destinacion evropian që ia vlen të vizitohet dhe që ndodhet vetëm tre orë larg Britanisë së Madhe, shkruan Amy Jones në median britanike të udhëtimit “Wales Online”.

Pas një përvoje të pasur udhëtimesh në rreth 80 vende të botës, eksperti britanik i udhëtimeve, Rory King, ka rekomanduar një destinacion evropian më pak të njohur, i cili ofron mundësinë për të shijuar pushime të qeta, larg fluksit të madh të turistëve.

Zgjedhja e një destinacioni të njohur për pushimet jashtë vendit, shpesh shihet si një alternativë e sigurt, pasi bëhet fjalë për vende, që tërheqin vazhdimisht vizitorë dhe që janë të pranishme në itineraret e zakonshme turistike.

Megjithatë, popullariteti nuk garanton gjithmonë një përvojë të kënaqshme, pasi destinacionet e frekuentuara mund të shoqërohen me çmime të larta dhe mbipopullim. Gjatë sezonit turistik, vizitorët në këto vende mund të përballen me kosto të konsiderueshme për akomodimin dhe shërbimet, si dhe me vështirësi për të gjetur hapësira të lira pranë pishinave të resorteve.

Njëkohësisht, turmat mund të pengojnë shijimin e peizazheve dhe të atraksioneve historike, ndërsa edhe një ndalesë e thjeshtë për të konsumuar një pije, në qendrat e vjetra të qyteteve mund të kushtojë më shumë se sa pritej.

Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe të ashtuquajturat “kurthe turistike”, të cilat mund të ndikojnë negativisht në përvojën e vizitorëve dhe të largojnë vëmendjen nga karakteri autentik i destinacionit, pavarësisht investimit financiar që kërkon udhëtimi.

Megjithatë, kjo nuk i zbeh arsyet përse destinacionet e njohura, vazhdojnë të tërheqin një numër të madh turistësh. Ato ofrojnë atraksione, shërbime dhe përvoja që i bëjnë tërheqëse për shumë turistët. Sidoqoftë, për ata që kërkojnë më shumë qetësi dhe një përvojë të ndryshme, eksplorimi i vendeve më pak të njohura, mund të jetë një alternativë që ia vlen të merret në konsideratë.

Edhe pse zgjedhja e një destinacioni jashtë itinerareve tradicionale turistike mund të kërkojë më shumë kërkim paraprak, rekomandimi i një eksperti me përvojë të gjerë udhëtimesh, mund të shërbejë si një pikënisje për të zbuluar vende të reja dhe për të përjetuar një mënyrë tjetër pushimi.

Rory King, me origjinë nga Belfasti dhe themelues i kompanisë “Rory’s Travel Club”, ka zbuluar ekskluzivisht destinacionin evropian që rekomandon se duhet vizituar me patjetër. Ky vend ofron mundësinë për të shijuar pushime të qeta, larg turmave, dhe me plazhe që janë krahasuar me ato të Maldiveve, por me një kosto shumë më të ulët.

“Shqipëria është absolutisht e bukur”, tha Rory.

“Mund të fluturosh drejtpërdrejt për në Tiranë, ose mund të fluturosh drejt Korfuzit, në Greqi, dhe më pas të marrësh një varkë që të çon në Shqipëri për 20 minuta”, shtoi ai.

“Ke ujëvara, vreshta, plazhe dhe peizazhe të bukura, ndërsa gjatë kohës që isha atje, moti ishte gjithashtu shumë i mirë”, tha eksperti britanik, që ka vizituar vende të shumta të botës.

“Shqipëria është një vend që më ka pëlqyer vërtet shumë dhe që do ta rekomandoja patjetër”, tha Rory.

Vija bregdetare e Shqipërisë, që shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, karakterizohet nga ujëra të kristalta, me ngjyrë bruz, dhe brigje të paprekura me rërë të bardhë, të cilat janë vlerësuar ndër më të mirat në Evropë.

Ndërkohë, brigjet veriore ofrojnë një alternativë më të qetë, me plazhe mahnitëse të vendosura mes gjireve dhe limaneve të fshehura.

Përtej vijës së saj mbresëlënëse bregdetare, Shqipëria ofron një gamë të gjerë atraksionesh, ku spikat kryeqyteti i gjallë, Tirana.

Atje, turistët mund të udhëtojnë me teleferikun Dajti Ekspres për të shijuar pamje panoramike spektakolare, ose të eksplorojnë arkitekturën e veçantë, artin shumëngjyrësh në rrugë dhe hapësirat e gjelbra të gjera.

Vendi është gjithashtu shtëpia e bunkerëve të njohur nëntokësorë, Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, të cilët tashmë janë shndërruar në muze të historisë dhe artit.

Gjithashtu, pranë tyre gjenden shtigje për ecje në këmbë, që përshkojnë peizazhet mbresëlënëse të Alpeve Shqiptare.

Për më tepër, gjatë të njëjtit udhëtim mund të eksplorosh edhe një vend tjetër të bukur.

“Nëse po viziton Shqipërinë, do të rekomandoja një udhëtim njëditor në Korfuz. Ose, nëse po qëndron në Korfuz, do të rekomandoja një udhëtim njëditor në Shqipëri. Të dyja janë vende të bukura, të ndara vetëm nga ujërat mes tyre”, sugjeroi Rory.

Rory shtoi se gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, vendi kishte relativisht më pak turistë dhe se ai nuk kishte vënë re turma vizitorësh askund.

Megjithatë, ai shtoi se Shqipëria do të bëhet shumë e njohur gjatë dy viteve të ardhshme, ndaj tani mund të jetë momenti më i mirë për ta vizituar këtë vend evropian, për sa kohë që mbetet relativisht jo shumë i njohur për turistët.

Por, me plazhe që rivalizojnë ato të Maldiveve dhe një kryeqytet të gjallë për t’u eksploruar, nuk është çudi që Shqipëria po kthehet gradualisht, në një destinacion të preferuar për pushuesit. Së shpejti, ajo mund të kalojë nga një perlë e fshehur në një prej destinacioneve turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Lini një Përgjigje