E hënë, 12 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Atentati me tritol në Gjirokastër para derës së komisariatit, dalin detaje të reja! Dyshohet për shpërthim të telekomanduar

Një ditë pas atentatit me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli dhe mbeti i plagosur pasagjeri Rigers Mela, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Dyshimet paraprake janë se eksplozivi i vendosur në automjet është aktivizuar nga distanca, ndërsa autorët dyshohet se e kanë ndjekur makinën deri pranë komisariatit të policisë, ku ndodhi shpërthimi.

Reklamë

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar, 11 tetor, në afërsi të dyerve të Komisariatit të Policisë në Gjirokastër. Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Benz”, në të cilin udhëtonin dy persona, u hodh në erë gjatë lëvizjes.

Grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë. Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi, pamjet e të cilave pritet të ndihmojnë në dokumentimin e lëvizjeve të automjetit dhe të personave të dyshuar.

Reklamë

Si ndodhi shpërthimi?

Gazetari i Vizion Plus, Blerin Kore, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” raportoi se në momentin e shpërthimit, pasagjeri Rigers Mela ka arritur të dalë nga automjeti dhe të hidhet, ndërsa drejtuesi Beqir Devolli është përplasur me një shtyllë.

Të dy personat u dërguan fillimisht në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rëndë, Devolli u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por ndërroi jetë gjatë transportimit me ambulancë.

Ndërkohë, pasagjeri Rigers Mela raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Të dy personat ishin të njohur për policinë

Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit është e kaluara e dy personave që ndodheshin në automjet.

Sipas informacioneve paraprake, Beqir Devolli kishte qenë i dënuar për transport të paligjshëm të emigrantëve.

Ndërsa Rigers Mela rezulton të ketë qenë i përfshirë në një tjetër ngjarje, pasi automjeti i tij ishte djegur më parë në një lagje të Gjirokastrës. Edhe kjo ngjarje raportohet se vijon të jetë pa autor të identifikuar.

Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që të përcaktojnë një lidhje mes këtyre episodeve dhe atentatit të fundit.

Kush ishte shënjestra e atentatit?

Pavarësisht pistave që po hetohen, ende nuk është përcaktuar se cili prej dy personave ishte shënjestra e mundshme e atentatit dhe cili ka qenë motivi i vendosjes së eksplozivit.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për analizimin e provave, pamjeve filmike dhe të dhënave të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Deri në këtë fazë, dyshimet për shpërthim të telekomanduar dhe ndjekje të automjetit mbeten pjesë e hetimeve paraprake, ndërsa motivi dhe autorët e ngjarjes nuk janë zbardhur ende.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.