Një 16-vjeçar humbi jetën pas një incidenti me ashensorin në një restorant në Arrameras të Fushë-Krujës, ndërsa në pranga kanë rënë kamerieri 26-vjeçar dhe pronari i lokalit, 62 vjeç.
Ngjarja ndodhi më 11 tetor 2026. Sipas policisë, 26-vjeçari Endri Stafuka, i cili punonte si kamerier në restorant, dyshohet se e ka shtyrë me duar 16-vjeçarin, gjithashtu kamerier, brenda ashensorit. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Pas ngjarjes, policia arrestoi në flagrancë të riun, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga u vu edhe pronari i restorantit, shtetasi Afrim Vathi, 62 vjeç, i dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe fshehje të të ardhurave.
Njoftimi i policisë:
Krujë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.













