Shakira ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj, këtë herë në platformat digjitale. Transmetimi i drejtpërdrejtë i koncertit të këngëtares kolumbiane në Madrid është bërë më i ndjekuri ndonjëherë në Amazon Music nga një artiste femër.
Lajmi është konfirmuar nga Claire Imoucha, drejtuese e Amazon Music në Spanjë, pas koncertit të mbajtur më 3 tetor, i cili u transmetua globalisht dhe falas përmes Amazon Music, Prime Video dhe Twitch.
Për herë të parë, një koncert i plotë i Shakirës u transmetua drejtpërdrejt për publikun në mbarë botën, duke i lejuar fansat nga vende të ndryshme të ndiqnin performancën e saj nga distanca.
Për realizimin e spektaklit u deshën muaj përgatitjesh, ndërsa produksioni përdori rreth 20 kamera, dronë dhe madje edhe një helikopter për të sjellë sa më shumë detaje nga skena dhe atmosfera e koncertit.
Performanca është pjesë e turneut botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”, me të cilin Shakira ka zhvilluar disa koncerte në Madrid që nga shtatori.
Sipas drejtueses së Amazon Music në Spanjë, kryeqyteti spanjoll po forcon gjithnjë e më shumë pozitat si një qendër e rëndësishme e muzikës latine, duke shërbyer si urë lidhëse mes Evropës dhe Amerikës Latine.
Ky rekord vjen në një periudhë kur Shakira vijon të mbajë një prani të fortë në skenën ndërkombëtare, duke zgjeruar audiencën e saj edhe përmes formateve të reja të transmetimit të koncerteve.
Lini një Përgjigje