Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arrameras në Fushë Krujë, ku një 16-vjeçar, i punësuar si kamerier në një restorant, ka humbur jetën pasi kolegu e shtyu në ashensor. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë kamerierin 26-vjeçar, Endri Stafuka dhe pronarin 62-vjeçar të lokalit, Afrim Vathi.
26-vjeçari, kamarier i këtij restoranti, dyshohet për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, si dhe pronari 62-vjeçar akuzohet për veprat "Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë" dhe "Fshehje të të ardhurave".
Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se 26-vjeçari, gjatë kohës që ndodhej në ambientet e restorantit, ka shtyrë me duar 16-vjeçarin brenda ashensorit. Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
SYRI TV raporton se viktima, Enes Isaku, dhe kamarieri tjetër po bënin shaka me njëri-tjetrin në momentin kur 16-vjeçari hyri në ashensor për të zbritur në katin e parë të lokalit.
Gjatë shakasë, kamarieri tjetër dyshohet se e ka shtyrë me duar viktimën dhe ka shtypur butonin e ashensorit për ta dërguar kolegun poshtë. Në atë moment, ashensori ka pësuar një shkëputje, ndërsa 16-vjeçari ka përplasur kokën në pllaka, duke humbur jetën.
Shkëputja e menjëhershme e ashensorit ka rrezikuar t'i marrë jetën edhe kamarierit tjetër, i cili është arrestuar pas ngjarjes.
Vetëm pak çaste përpara aksidentit, ashensori ishte përdorur edhe nga pronari i lokalit, Afrim Vathi, i cili është gjithashtu gjyshi i viktimës 16-vjeçar.
NJOFTIMI ZYRTAR
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net
Humbi kontrollin pas sherrit me gruan, shqiptari tentoi të përplasë dy efektivët me makinë në Itali
EMRI/ Kush është violinisti që u dënua pasi u kap me 38 kg kokainë: Paratë janë të babait tim
7 muaj në detyrë, jep dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve! Kupi: Mu hodhën gurë, koha do të flasë më qartë