Familjarët e Beqir Devollit, i njohur me nofkën “Çilo Hunderri”, kanë deklaruar para policisë se prej rreth një viti 45-vjeçari i shmangej Tiranës dhe ishte rikthyer për të jetuar në Gjirokastër, pasi ruhej.
45-vjeçari humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse të vendosur në automjetin me të cilin udhëtonte. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së shtunës, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë Gjykatës së Gjirokastrës. Në automjet, së bashku me 45-vjeçarin, ndodhej edhe Erigers Mela, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas familjarëve, Devolli nuk kishte pasur konflikte apo armiqësi me persona të tjerë. Të njëjtin version ka dhënë edhe Erigers Mela, i cili ka deklaruar se mes tyre nuk kishte pasur konflikte dhe se me Devollin e lidhte një njohje shoqërore.
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje 23 persona që kishin pasur njohje me viktimën. Ata kanë dhënë informacione lidhur me marrëdhëniet që kishin pasur me 45-vjeçarin.

