Tragjedia në Fushë-Krujë/ 16-vjeçari u shty me shaka nga kolegu në ashensorin e mallrave, viktima ishte nipi i pronarit

12/10/2026 11:03

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Arrameras të Fushë-Krujës, ku humbi jetën një 16-vjeçar që punonte si kamerier në një restorant.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, i mituri dyshohet se u shty nga kolegu i tij brenda ashensorit të mallrave, në formë shakaje, por situata përfundoi në tragjedi pasi ashensori u shkëput. Viktima mësohet se ishte nipi i pronarit të restorantit.

Ngjarja ndodhi më 11 tetor 2026, në ambientet e restorantit në pronësi të 62-vjeçarit Afrim Vathi, në fshatin Arrameras.

Sipas të dhënave paraprake, 16-vjeçari ndodhej në ambientet e punës, kur kolegu i tij, 26-vjeçari Endri Stafuka, dyshohet se e ka shtyrë brenda ashensorit të mallrave, në formë shakaje.

Në vijim, ashensori është shkëputur aksidentalisht dhe i mituri ka pësuar dëmtime të rënda nga përplasja, të cilat i kanë marrë jetën.

Një tjetër detaj i rëndë që mësohet për këtë ngjarje është se 16-vjeçari ishte nipi i pronarit të restorantit.

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë 26-vjeçarin Endri Stafuka, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, Afrim Vathi, 62 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik dhe përgjegjësitë e mundshme ligjore të personave të përfshirë.

Top Channel