TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria shënon të martën një tjetër hap në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në Luksemburg do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.
Drita jeshile është dhënë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare në COREPER. Shqipëria është në prag të mbylljes së kapitullit të katërt brenda tre muajve, pas atyre për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos njoftoi se në ditët në vijim janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare, me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se zgjerimi i Bashkimit Europian po ecën përpara.
“Pas vendimit të djeshëm të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”, tha Kos.
Në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos theksoi se siguria dhe përafrimi strategjik me politikat e BE-së do të jenë kushte thelbësore për anëtarësimin e vendeve kandidate. Sipas saj, Bashkimi Europian nuk mund të pranojë anëtarë të rinj që nuk kontribuojnë në forcimin e sigurisë së përbashkët.
“Ne nuk mund t'ia lejojmë vetes të pranojmë shtete të reja anëtare që nuk do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë sonë. Vetëm ato vende kandidate që janë të përafruara strategjikisht me ne do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, tha Kos.