Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi të mos komentojë deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi elektoral tha se flamuri i Serbisë “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”.
Të lidhura
None found
Kurti u shpreh se për këtë çështje ka folur tashmë ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
“Ka dhënë deklarimet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më duhet të shkoj për 20 minuta”, tha Kurti, duke shmangur një qëndrim të drejtpërdrejtë ndaj fjalëve të Daçiqit.
Gjatë tubimit zgjedhor në Rashkë, Daçiq deklaroi se flamuri serb do të vendoset “herët a vonë” mbi Prizrenin, qytetin ku ka lindur. Ai theksoi gjithashtu se partia e tij nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.
Daçiq pretendoi më tej se, nëse partia e tij do të marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, edhe 20 shtete të tjera do ta tërheqin njohjen e Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e dënoi deklaratën, duke e cilësuar atë si një tregues të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
Konjufca u bëri thirrje institucioneve dhe bashkësisë ndërkombëtare që t’i dënojnë këto veprime.




