Aktualitet Politikë

Ujë dhe vezë në seancën e Territoriales, Bardhi e Balliu përjashtohen 60 ditë nga Kuvendi!

Sekretariati i Etikës përjashton me 60 ditë nga Kuvendi, demokratët Gazment Bardhi e Klevis Balliu. Më herët nga opozita, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi kundërshtuan kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj Bardhit e Balliut, pas incidenteve në seancën plenare të 8 tetorit kur votohej Territorialja.

Në Këshillin e Etikës, dy deputetët demokratë e cilësuan kërkesën “të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Parlamentit”, duke argumentuar se masa disiplinore duhet të jetë në përputhje me shkeljen konkrete të pretenduar.

Sipas socialistëve, Bardhi iu drejtua me fjalë fyese dhe denigruese drejtuesve të lartë të shtetit dhe deputetëve të Partisë Socialiste, si dhe goditi disa herë me shishe uji në drejtim të tyre.

Për Balliun, thanë se hodhi vezë në drejtim të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, si dhe përdori një pajisje zhurmuese në sallë, duke penguar vijimin normal të punimeve parlamentare.

Në qëndrimin e tyre, Korreshi dhe Himçi kundërshtuan atë që e konsideruan “përpjekje për vendosjen e një mase disiplinore pa klasifikimin e duhur ligjor të shkeljes së pretenduar”.