Një hetim i BBC Panorama dhe Byrosë së Gazetarisë Investigative pretendon se Deloitte, një nga firmat më të mëdha të kontabilitetit në botë, ndihmoi në fshehjen e pasurisë së oligarkut rus Roman Abramovich dhe në shmangien e detyrimeve tatimore përmes dokumenteve të falsifikuara dhe transaksioneve të regjistruara me datë të prapambetur.
Sipas dokumenteve të rrjedhura, llogari të përgatitura dhe të nënshkruara nga Deloitte në Qipro në vitin 2006 bënë që të zhdukeshin nga bilancet e një kompanie të Abramovich asete luksoze me vlerë 672 milionë dollarë, mes tyre superjahte, vila, avionë privatë dhe helikopterë. Pas ndryshimeve në dokumentacion, kompania rezultonte se zotëronte vetëm 75 mijë dollarë asete.
Hetimi zbulon gjithashtu se këshilltarët e oligarkut dyshohet se përdorën dokumente të datuara në mënyrë të rreme për të shmangur taksat mbi të ardhurat nga interesat bankare. Një tjetër kompani e tij, Kravin Investments, kishte afro 2 miliardë dollarë në bankë në vitin 2003. Korrespondenca e brendshme sugjeron se, pas konsultimeve me Deloitte, u propozuan ndryshime në pasqyrat financiare dhe të dhënat kontabël për të paraqitur fondet sikur mbaheshin në emër të një kompanie mëmë në Ishujt e Virgjër Britanikë.
Dokumentet e publikuara përfshijnë edhe një tjetër rast, ku pasuri biznesi me vlerë mbi 10 miliardë dollarë dyshohet se u regjistruan në emër të një kompanie tjetër, me qëllim që asetet të mos shfaqeshin në llogaritë publike të shoqërisë në Qipro.
Eksperti i ligjit financiar Andrew Mitchell KC e cilësoi skemën e përshkruar në dokumente si evazion fiskal të drejtpërdrejtë. Edhe profesori i kontabilitetit Lord Sikka kritikoi ndryshimin e datave të transaksioneve dhe mosparaqitjen e llogarive të sakta.
Abramovich dhe Deloitte mohojnë shkeljet. Avokatët e oligarkut deklaruan se ai nuk ishte përfshirë në administrimin e përditshëm të kompanive dhe se nuk ka prova që ai dinte, autorizonte apo drejtonte falsifikimin e dokumenteve.
Ata shtuan se mbështetja te këshillat e profesionistëve ishte legjitime. Deloitte Cyprus deklaroi se vepron në përputhje me ligjet në fuqi, por tha se nuk mund të komentonte akuzat specifike, pasi dokumentet ishin më shumë se 20-vjeçare dhe nuk ishin më të disponueshme.
Abramovich, ish-pronari i klubit të futbollit Chelsea, u sanksionua nga Mbretëria e Bashkuar pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe u detyrua të shiste klubin. Ndërkohë, sipas raportimit, në Jersey vijojnë të jenë të ngrira rreth 5.4 miliardë paund nga asetet e tij, në kuadër të një hetimi penal që vazhdon prej katër vitesh. Avokatët e tij i kanë mohuar akuzat në këtë hetim.
Hetimi bazohet në mijëra dokumente financiare që lidhen me një rrjet kompanish të administruara nga Qiproja gjatë periudhës 1995–2022. Firma MeritServus, e cila menaxhonte një pjesë të këtyre kompanive dhe që dikur ishte në pronësi të Deloitte, u mbyll pas publikimit të dokumenteve të rrjedhura.














