Sulmet e vazhdueshme ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Riadit kanë shkaktuar të paktën 14 viktima gjatë fundjavës, duke ndërprerë trafikun ajror e rritur shqetësimet për sigurinë e investimeve dhe të furnizimeve energjetike në Arabinë Saudite.
Përshkallëzimi i konfliktit me rebelët Huthi të Jemenit vjen ndërsa mbretëria përgatitet të presë drejtues të kompanive më të mëdha botërore në dy konferenca ndërkombëtare për energjinë dhe investimet.
Një predhë goditi dje Terminalin 4 të Aeroportit “King Khalid”, duke shkaktuar zjarr, një viktimë dhe 11 të plagosur. Sulmi pasoi goditjen e 10 tetorit që vrau 13 persona e plagosi mbi 300 të tjerë.
Sipas Reuters-it, mbrojtja ajrore saudite interceptoi gjithashtu një raketë pranë aeroportit, një dron në Provincën Lindore dhe një raketë balistike të drejtuar ndaj qytetit Khamis Mushait.
Sulmet kanë shkaktuar anulime dhe devijime të shumta fluturimesh.
Lufthansa pezulloi shërbimet drejt Riadit deri më 16 tetor, ndërsa kompani të tjera, përfshirë Air India-n, Etihad Airways dhe Flydubai, kanë ndërprerë përkohësisht disa operacione. Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende europiane lëshuan paralajmërime udhëtimi.
Ndërprerjet përkojnë me zhvillimin e Kongresit Botëror të Energjisë në Riad, nga 11 deri më 15 tetor dhe përgatitjet për Future Investment Initiative, më 26-29 tetor.
Disa pjesëmarrës ndërkombëtarë zgjodhën pjesëmarrjen online, ndërsa për të tjerë janë shqyrtuar itinerare alternative udhëtimi.
Sulmet kanë goditur edhe infrastrukturën energjetike. Rebelët Huthi deklaruan se kanë shënjestruar objekte të kompanisë shtetërore Saudi Aramco dhe aeroportin e Dammamit, duke zgjeruar objektivat përtej kryeqytetit.
Përshkallëzimi vjen teksa tregu ndërkombëtar i naftës përballet me ndërprerje të furnizimeve dhe kërcënime ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit. Nafta Brent sot tregtohet mbi 100 dollarë për fuçi.
Konflikti e ka origjinën në luftën shumëvjeçare në Jemen. Të mbështetur nga Irani, Huthit kontrollojnë pjesë të konsiderueshme të vendit, ndërsa Arabia Saudite mbështet forcat qeveritare jemenase.
Pas prishjes së armëpushimit, përleshjet janë intensifikuar, veçanërisht për kontrollin e territorit pranë Detit të Kuq dhe ngushticës Bab el-Mandeb, korridor i rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare.
Riadit i janë drejtuar dhjetëra sulme javët e fundit. Huthit kanë paralajmëruar goditje të tjera nëse Arabia Saudite nuk ndërpret operacionet ushtarake në Jemen.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Uashingtoni po shqyrton përfshirjen në operacionet saudite kundër Huthëve.