Zelensky: Rusia nuk i ndal sulmet, pavarësisht thirrjes së Trumpit për armëpushim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se kishte sulmuar një central energjetik, pavarësisht njoftimit të papritur të presidentit amerikan, Donald Trump, se ishte arritur marrëveshje për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara deklaroi se është arritur një marrëveshje për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike. Ky është lajm i mirë për të gjithë dhe është e rëndësishme që të zbatohet në praktikë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale vonë më 11 tetor.
Megjithatë, ai shtoi se Rusia kishte lëshuar një dron të tipit Shahed, të prodhuar sipas modelit iranian, drejt një centrali elektrik në Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në shumë zona.
“Më vonë, u kryen sulme edhe ndaj objekteve energjetike në rajonin e Harkivit. Dhe e gjithë kjo ndodhi pas deklaratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara për armëpushim në sektorin e energjisë”, tha Zelensky.
Këto pretendime nuk u konfirmuan në mënyrë të pavarur, ndërsa Moska nuk e komentoi fare deklaratën e presidentit amerikan.
“Armëpushimi për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në fuqi menjëherë”, shkroi Trump më 11 tetor në platformën e tij Truth Social.
“Të dyja palët janë pajtuar. Mos e shkelni marrëveshjen!”
Zelensky shkroi në Facebook se kishte biseduar në telefon me udhëheqësit e Kanadasë, Finlandës dhe NATO-s.
Ai tha se Ukraina e mbështet ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike, por theksoi se është e rëndësishme që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Rusia.
Më herët, presidenti ukrainas tha se njoftimi i Trumpit e kishte zënë në befasi dhe se po priste sqarime nga Uashingtoni.
Dy zyrtarë të lartë ukrainas i thanë Radios Evropa e Lirë se as Kievi nuk kishte qenë në dijeni për ndonjë marrëveshje të re, para se Trump ta shpallte publikisht.
“Pyetja jonë është nëse [presidenti rus, Vladimir] Putin është në dijeni për këtë”, tha njëri prej tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Trump njofton për një marrëveshje të tillë.
Më 14 shtator, ai deklaroi se Rusia dhe Ukraina ishin pajtuar t’i ndalnin sulmet ndaj objekteve energjetike.
Megjithatë, Rusia i vazhdoi ato, duke shuar shpresat për një armëpushim të qëndrueshëm.
Lehtësimi i sanksioneve
Njoftimi për armëpushim në sektorin e energjisë erdhi dy ditë pasi Trump urdhëroi lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse dizel.
Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra në Ukrainë, tek aleatët e saj evropianë dhe në mesin e shumë ligjvënësve amerikanë, të cilët paralajmëruan se lehtësimi i sanksioneve mund ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin, ta vazhdojë luftën kundër Ukrainës.
Trump tha, gjithashtu, se Ukraina duhet ta zëvendësojë Zelenskyn në postin e presidentit, ndërsa shprehu vlerësime pozitive për Putinin.
Udhëheqësit evropianë, megjithatë, konfirmuan mbështetjen e tyre për presidentin ukrainas dhe për përpjekjet e Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
“Tani nuk është koha për ta ulur presionin ndaj Rusisë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, shkroi në X shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Ajo e kritikoi vendimin për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, duke paralajmëruar se një veprim i tillë shton të ardhurat e Moskës për financimin e luftës.
Kallas tha se ministrat e Jashtëm të BE-së planifikojnë të miratojnë sanksione të reja ndaj individëve dhe subjekteve të caktuara, më 12 tetor.
Disa nga vendet më të mëdha anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, konfirmuan ndërkohë se do t’i mbanin në fuqi sanksionet e tyre ndaj Rusisë, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Uashingtonit.
Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, e dënoi marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke thënë se ajo dëmton përpjekjet për stabilitet në Evropë dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ligjvënësit kundërshtojnë vendimin
Në Uashington, kongresisti republikan, Brian Fitzpatrick, tha se planifikon të kërkojë një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për një projektligj që do të ndalonte blerjen e naftës ruse, duke sfiduar kështu presidentin Trump, i cili, po ashtu, i përket Partisë Republikane.
Më 11 tetor, shtatë senatorë republikanë dhe demokratë, përmes një deklarate të përbashkët, i kërkuan Trumpit të tërhiqej nga marrëveshja për furnizimin me naftë ruse dizel, duke argumentuar se ajo bie ndesh me ligjin amerikan që ndalon importet e energjisë nga Rusia derisa Moska t’i japë fund agresionit kundër Ukrainës.
“Kongresi i ndaloi shprehimisht importet e energjisë ruse në vitin 2022, për të parandaluar që paratë amerikane të financonin luftën brutale të Putinit kundër Ukrainës”, thanë shtatë senatorët.
Deklarata u nënshkrua nga senatorët republikanë: Susan Collins, Lisa Murkowski, Thom Tillis dhe John Curtis, si dhe nga demokratët: Jeanne Shaheen, Richard Blumenthal dhe Ron Wyden.




