Kristian Ymeri, alias Shkambi dhe Vincesk Piroli
Elden Tarja, Kristian Ymeri, dhe Vinçesk Piroli dyshohet se janë autorë të të paktën tre vrasjeve përgjatë dy viteve të fundit bëjnë të ditur burimet.
Ata u arrestuan më 10 tetor dhe dyshohet se janë ‘vrasës me pagesë’.
Ata dyshohen se kanë ekzekutuar, Artan Myrtajn pak ditë më parë në Sarandë, si dhe dy vrasje të tjera, një në Qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë. Vinçesk Piroli dyshohet të jetë ekzekutori kryesor në këto ngjarje bëjnë të ditur mediat.
Arrestimi
Dy prej tyre u arrestuan teksa po lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa personi i tretë dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin pas kryerjes së krimit. Gjatë operacionit u sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjeti dhe një automjet tip “Volkswagen”.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në njërin nga telefonat e sekuestruar në momentin e arrestimit është gjetur fotoja e një banese në qytetin e Lezhës.Banesa i përket një personazhi të fortë në qytetin e Lezhës me inicialet E.T.
Por ky i fundit, sipas burimeve të policisë, kishte rreth 1 muaj që ndodhej jashtë shtetit.
Ndërkohë, hetimet e policisë tregojnë se objektiv i 3 vrasësve me pagesë mund të ketë qenë dhe P.Gj., i cili i ka shpëtuar dy herë atentateve me personazhin e fortë në Lezhë, E.T.
Sot tre të arrestuarit u shoqëruan nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) drejt ambienteve të gjykatës së Lezhës ku iu komunikua masa e sigurisë 'arrest me burg'. Ata akuzohen për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim, sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, si dhe trafikimin e mjeteve motorike.

© SYRI.net