Rama prezanton “Pasqyra e çmimeve” dhe “Kurse”: Artikuj me çmime stabël deri në 12 janar 2027

12 Tetor 2026, 12:30Politika TEMA
Rama prezanton “Pasqyra e çmimeve” dhe “Kurse”:

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën “Pasqyra e Çmimeve” dhe programin “Kurse”, përmes të cilave synohet të ofrohet më shumë transparencë për konsumatorët dhe të mbahen të qëndrueshme çmimet e një sërë artikujsh ushqimorë deri më 12 janar 2027.


“Më vjen shumë mirë që e arritëm këtë objektiv të madh, duke gjetur mirëkuptim. Rritja e kostove në tërësi janë një karakteristikë e të gjitha vendeve, duhet bërë një hap mes vijës tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen. Duhet gjetur një rrugë për të forcuar një mundësi më shumë. Falë komunikimit dhe ndërveprimit, të këtyre 5 subjekteve të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve në Shqipëri jemi me këtë pasqyrë në dorë, pasqyrën e çmimeve dhe me këtë marrëveshje që do të ketë çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme deri në 12 janar të vitit të ardhshëm”, tha Rama.


Sipas Ramës, aktualisht janë mbi 200 artikuj të përfshirë në këtë nismë, ndërsa objektivi është që lista të zgjerohet deri në 1 mijë produkte brenda fundit të vitit.

 

Kreu i qeverisë bëri të ditur se marrëveshja është arritur me pesë subjekte të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve në vend, duke theksuar se synimi është përfshirja e më shumë bizneseve, përfshirë edhe pikat e shitjes me pakicë, në funksion të lehtësimit të kostove për qytetarët.


“Dua të falënderoj subjektet dhe përfaqësuesit e tyre për këtë arritje jo të vogël. Ky nuk është fundi, por fillimi i një procesi, ku ne duam të përfshijmë gjithnjë dhe më shumë subjekte, subjekte të vogla dhe pika të shitjes së pakicës. Për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë, nëse ato çmime janë spekulim. Përpjekja dhe thirrja jonë do të jenë të vazhdueshme.


Nga ana tjetër sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre, synimi është që deri në fund të vitit të jenë 1000 mijë. Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime, sepse këtë e kemi të pamundur, kemi zgjedhur një sistem që çmimet i vendos konkurrenca e lirë dhe e ndershme. Ky do të jetë një lehtësim për konsumatorët dhe besoj që do të na duhet punë.


Koha do të na mësojë më shumë, por kjo pasqyrë e çmimeve është pjesë e një koncepti më të gjerë që është “Pasqyrë Albania”. Të gjithë të mund të shohin me sytë e tyre në një pasqyrë të besueshme faktet e një jete të përditshme. Krijimi i një pasqyre unike, ku shteti është i aksesueshëm me një klik, është shumë i domosdoshëm në këtë kohë. “Pasqyra e çmimeve”, shtoi kryeministri.

Lini një Përgjigje