
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e platformës “Pasqyra e çmimeve” ku subjekte të mëdha tregtare do të publikojmë çmimet për 238 produkte të cilat do të jenë të palëvizshme deri më 12 janar.
Rama e konsideroi situatën si “presion të përgjithshëm” që po ndodh edhe në vende të tjera ku sipas tij ka rritje të çmimeve të produkteve.
“Sot falë këtij ndërveprimi të këtyre 5 subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, pasqyrën e çmimeve dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh të cilët do kenë çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri në 12 janar të vitit të ardhshëm. Në këtë periudhë që karakterizohet si presion i përgjithshëm ndaj ekonomisë të të gjitha vendeve. Vende të ndryshme kanë marrë nisma të ngjashme, nëse e kanë gjetur ata gjuhën e përbashkët, nuk ka asnjë arsye përse mos ta gjejmë edhe ne”- tha Rama.
Ndërsa theksoi se pjesë e nismës do të bëhen edhe dyqanet e pakicës ku theksoi se në rast se do ketë lëvizje të madhe të çmimeve, do të gjobiten.
“Duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte duke patur parasysh këtu edhe subjektet më të vogla edhe pikat e shitjes të pakicës të cilat janë pika ku siç e tha ministrja shpesh herë ndodh që çmimet të lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë nëse ato çmime janë spekulim. Thirrja jonë do jetë në mënyrë të vazhdueshme mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirja në këtë nismë”- shtoi kreu i qeverisë.
Duke thënë se kjo gjë do të jetë lehtësim për konsumatorët, Rama tha se qeveria e ka të pamundur të ndërhyjë për të vendosur vetë çmimet. Versus.al

