Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke theksuar përkushtimin e saj për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
“Ambasada amerikane pret me kënaqësi të bashkëpunojë me Justina Shiroka Pulën, presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetet sociale.
Në deklaratë theksohet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar të punojë me institucionet e Kosovës për avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë.
Shiroka Pula u zgjodh presidente më 7 tetor, me 81 vota të deputetëve, pas një kompromisi të minutave të fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Zgjedhja e saj shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kompromisit i paraprinë diskutime dhe komunikime mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
PDK-ja kishte kërkuar që, para zgjedhjes së presidentes, Kuvendi të miratonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kuvendi i miratoi ndryshimet me 88 vota, ndërsa më pas votoi për Shiroka Pulën - kandidaturë e propozuar nga LVV-ja dhe e mbështetur edhe nga PDK-ja.
Shiroka Pula, ekonomiste dhe akademike, ishte më herët ministre dhe deputete e PDK-së.
Para se të zgjidhej presidente, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
© SYRI.net
Ambasada amerikane: Presim bashkëpunim me presidenten e re të Kosovës
Kurti: Partneriteti me SHBA-në dhe NATO-n, prioritet afatgjatë i Kosovës
‘E mjera Serbi!’ - Ish ministri gjerman Roth kritikon pretendimet e Daçiç për Prizrenin