Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas shtatë muajve në krye të institucionit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kupi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar vendimin për t’u larguar nga kjo detyrë.
Në postimin e tij, ai është shprehur se periudha shtatë-mujore ka qenë e vështirë me probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendime të rëndësishme. Po ashtu Kupi ka bërë të ditur se është përpjekur që t’i përballojë me angazhimin maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet.
Gjithashtu ai në postim ka përmendur kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se është përpjekur t'i dëgjojë ato dhe të vijojë punën përballë pengesave.
