Sport

Kaos në Kampionatin Kombëtar të Boksit, anulohen finalet! Vllaznia shpërthen ndaj Federatës!

Kampionati Kombëtar i Boksit ka dështuar në fazën finale, duke çuar në anulimin e ndeshjeve finale. Klubi kampion në fuqi, Vllaznia, 27 herë kampione kombëtare, ka ngritur akuza të forta ndaj Federatës dhe organizatorëve për dështimin në mbarëvajtjen e aktivitetit.

Kryetrajneri Zef Gjoni thotë se gjatë dy ditëve të para të garave ka pasur dhunë, presion dhe tensione, situata që, sipas tij, çuan edhe në largimin e arbitrave nga aktiviteti dhe dështimin e turneut.

Gjoni pretendon se ka pasur presione dhe përfshirje të personave të inkriminuar, të cilët, sipas tij, ndikuan në dështimin e Kampionatit Kombëtar.

Sipas trajnerëve shkodranë, presionet fillimisht janë ushtruar ndaj boksierëve, më pas ndaj stafeve të ekipeve dhe në fund ndaj arbitrave. Ata deklarojnë se në Pallatin e Sportit në Tiranë janë regjistruar tri episode dhune, të cilat nuk janë arritur të parandalohen as nga policia. Sipas tyre, në përplasjet fizike janë përfshirë sportistë dhe tifozë.

LEXO EDHE: Festë bardheblu në ‘Arenën Kombëtare’, Tirana mposht Partizanin në derbi dhe e fut në telashe!

Në kampionat merrnin pjesë skuadrat më të rëndësishme të boksit shqiptar, duke nisur nga Vllaznia, dominuese absolute në tri dekadat e fundit, e për të vijuar me Partizanin, Tiranën, Flamurtarin, Studentin, Dinamon, Elbasanin, Teutën, Apoloninë “Green Team” dhe “Albania”.

LEXO EDHE: Renditja/ Tirana “zhyt” Partizanin, të kuqtë në vendin e parafundit. Egnatia në ndjekje të Teutës, si paraqitet situata pas javës së 6-të!